Një ndërtesë trekatëshe e ndërtuar pa leje u shemb sot në mëngjes me shpërthim të kontrolluar pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum, në zonën e Radhimës.
Sipas të dhënave zyrtare, në objekt u vendosën 32 kilogramë lëndë plasëse, të lidhura me 1,100 metra fitil detonant dhe 410 furnela. Për sigurinë e procesit, u bllokua përkohësisht qarkullimi në segmentin rrugor dhe u ndërpre energjia elektrike për rreth 15 minuta.
Megjithatë, për banorët dhe pushuesit, ky nuk ishte një mëngjes i zakonshëm. Disa prej tyre u shprehën të indinjuar, duke denoncuar mungesën e masave të plota të sigurisë, ndotjen e ujit të detit dhe ajrit, si dhe frikën që shkaktoi shpërthimi.
“Mirëmëngjes… u zgjuam të tmerruar nga tritoli. Mirë që u trembëm, por u ndot edhe deti. Tani ku do lahen njerëzit?”, u shpreh një banore.
Ndërkohë, projekti satelitor “Albania 1” dhe “Albania 2”, i cili u promovua me bujë si “syri i qiellit” që do monitoronte çdo shkelje në territor, ka mbetur në heshtje.
Asnjë ndërtesë pa leje nuk është shembur falë këtyre satelitëve, që kushtuan 6 milionë dollarë. IKMT vetë pranon se nuk ka ndërmarrë veprime bazuar në të dhënat satelitore, pasi punonjësit janë ende në trajnim dhe nuk arrijnë të interpretojnë imazhet.
Ekspertët theksojnë se monitorimi satelitor në Shqipëri nuk funksionon 24 orë dhe kërkon njohuri shumë të specializuara, duke lënë në hije premtimet e mëdha qeveritare.
Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama prezantoi me entuziazëm “Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit”, i cili sipas tij do të revolucionarizonte kontrollin mbi ndërtimet pa leje, taksat vendore dhe mbrojtjen e mjedisit.Megjithatë, kjo është vetëm një tjetër platformë digjitale që duket se do të përfundojë si shumë të tjera: e panevojshme, e paefektshme dhe e harruar shpejt.
Miliarda lekë të shqiptarëve po shpenzohen në sisteme digjitale që janë më shumë dekor sesa zgjidhje reale, duke krijuar një fasadë teknologjike që nuk shërben askujt përveç atyre që e promovojnë për propagandë.