Skip to content
Bota

SHBA/ Vaksina kundër Covid-19, Trump: Pas 3-4 javësh mundet…

· 2 min lexim

Shtetet e Bashkuara, edhe pse vendi më i goditur momentalisht nga pandemia e koronavirusit, ende nuk kanë arritur të prodhojnë një vaksinë për këtë sëmundje.

Kjo gjë është kthyer edhe në debat dite, si në zhvillimet politike ashtu dhe në Shtëpinë e Bardhë, ku debatet mes Presidentit Trump dhe këshilltarit të tij Fauci, kanë qenë nga më të larmishmet.

Por dje Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se, një vaksinë kundër koronavirusit mund të jetë e gatshme pas tri apo katër javësh.

Kjo deklaratë e kreut të Shtëpisë së Bardhë i nënvizon parashikimet e bëra më herët këtë muaj nga zyrtarët amerikanë të shëndetit publik dhe kompania farmaceutike “Pfizer Inc”, shkruan “Reuters”.

Duke folur në Philadelphia, presidenti amerikan e mbrojti punën e tij për menaxhimin e krizës së koronavirusit dhe tha se, vaksina do të jetë e gatshme për shpërndarje së shpejti.

“Jemi shumë afër për të pasur një vaksinë. Nëse doni ta dini të vërtetën, administrata e kaluar ndoshta do të merrte vite për ta pasur një vaksinë për shkak të FDA-së (Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve) dhe të gjitha miratimeve.

Ne brenda javëve do ta kemi atë, mund të jenë tri javë, katër javë”,- tha ai.

Në mbarë botën, dhjetëra vaksina tashmë kanë hyrë në fazën e testimit në njerëz dhe disa prej tyre kanë dhënë rezultate premtuese.

Shumica e vaksinave janë duke u testuar në Rusi, Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara.

/GazetaReforma.com/