Skip to content
Të Gjitha

Rruga në Mushqeta çahet në mes nga shiu, dy vjet kishte që ishte ndërtuar

· 2 min lexim

As dy vjet  nuk e gëzuan rrugën e re banorët e Mushqetasë në Tiranë.

E ndërtuar dy vite më parë rruga nuk u rezistoi reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Një segment afro 300 metra është i papërshkueshëm për automjetet për shkak të dëmtimeve të rënda të asfaltit.

Toka ka rrëshqitur duke shkaktuar çarje të thella.

Janë mbi 30 familje të fshatit Mushqeta që dëmtimet u krijojnë vështirësi.

Banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen poshtë kësaj rruge, janë njoftuar që të largohen, pasi toka mund të rrëshqasë sërish dhe t’u rrezikojë jetën.

Kjo rrugë ashtu si të tjera, të dëmtuara ditët e fundit, është tregues i mungesës së cilësisë në ndërtimin e veprave të tilla infrastrukturore.

Pas rrugës së Borshit dhe asaj të Lezhës, rruga e fshatit Mushqeta është e radhës që pëson dëmtime të madha jo vetëm për shkak të reshjeve por edhe cilësisë së dobët të punimeve.

Pas çarjes në mes dhe fundosjes së Aksit rrugor Sarandë-Borsh si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë duke u bërë e pakalueshme, përveç ARRSH-së edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm për të kryer një auditim për të zbuluar shkaqet e shembjes.

Burime nga KLSH thonë për Report tv se KLSH do të analizojë situatën për të gjetur problematikën përse ndodhi fundosja e rrugës dhe identifikimin e përgjegjësve. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu urdhëroi në mënyrë të menjëhershme verifikimin për procedurat që janë ndjekur për lidhjen e kontratës me kompaninë që ka fituar prokurimin dhe cilësinë e punimeve që janë bërë në terren.