Skandal me Gjendjen Civile/ 19 mijë ndërhyrje në identitete, dyshime për tjetërsim pronash në bregdet

Një hetim për ndërhyrje të dyshuara të paligjshme në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ka zbuluar rreth 19 mijë veprime në sistem, që përfshijnë ndryshime të identiteteve, lidhjeve familjare dhe vendbanimeve të qytetarëve. Sipas gazetarit Arsen Rusta, dyshohet se manipulimet janë kryer për përfitime financiare, kryesisht përmes tjetërsimit të pronave në zonat bregdetare të Shqipërisë.
Hetimi, i nisur nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me sektorët e Krimit Ekonomik dhe Krimit Kibernetik, fillimisht përfshinte 49 raste të dyshuara falsifikimi. Megjithatë, verifikimet e mëtejshme e kanë zgjeruar hetimin në rreth 19 mijë ndërhyrje të identifikuara në sistem.
Sipas Rustës, ndryshimet janë zbuluar në skedarët e administruar më parë nga kompania austriake që menaxhonte regjistrin. Kjo kompani e ndërpreu shërbimin në vitin 2025, ndërsa administrimi i sistemit i kaloi kompanisë “Soft Solution”, në pronësi të Ermal Beqirit.
Dyshimet për tjetërsimin e pronave në Vlorë, Durrës dhe Lezhë
Të dhënat e hetimit, të raportuara nga Rusta, tregojnë se ndërhyrjet janë përqendruar kryesisht në zonat bregdetare, veçanërisht në Vlorë, Durrës dhe Lezhë.
Manipulimet e dyshuara përfshijnë ndryshimin e emrave, mbiemrave, emrave të prindërve, lidhjeve me trungun familjar dhe vendbanimeve.
Hetuesit dyshojnë se këto ndryshime mund të jenë përdorur për të krijuar dokumentacion të falsifikuar, me qëllim përfitimin e tokave, trojeve dhe pasurive të tjera. Po ashtu, po shqyrtohet mundësia e përdorimit të identiteteve të manipuluara për përfitime përmes llogarive bankare.
19 mijë hyrje-dalje nga llogaria e një punonjësi të dalë në pension
Një nga elementet kryesore të hetimit lidhet me përdorimin e llogarisë së Pandeli Shirokës, ish-punonjës i Gjendjes Civile.
Sipas informacionit të bërë publik nga gazetari, në këtë llogari janë regjistruar rreth 19 mijë hyrje-dalje, megjithëse ajo duhej të ishte çaktivizuar pas daljes në pension të punonjësit.
Hetimi synon të përcaktojë se kush e ka përdorur llogarinë, si është siguruar aksesi dhe përse ajo ka mbetur aktive.
Një tjetër element është identifikimi i një adrese IP të lokalizuar në Angli, nga e cila, sipas Rustës, rezultojnë të jenë kryer pothuajse 90% e kyçjeve në sistem. Dyshohet se është përdorur një rrjet VPN për të fshehur vendndodhjen reale të personave që kanë kryer ndërhyrjet.
AKSHI në dijeni të ndërhyrjeve, pritet përfshirja e SPAK
Sipas Rustës, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) pritet të merren në pyetje, pasi institucioni ishte vënë në dijeni për ndërhyrjet e identifikuara.
Gazetari deklaron se, pavarësisht njoftimit për problematikën, AKSHI është përgjigjur se po kryente verifikime, ndërsa ngrihen pikëpyetje mbi masat e marra për të parandaluar akseset e mëtejshme.
Për zbardhjen e skemës është kërkuar bashkëpunimi i ekspertëve të teknologjisë pranë SPAK-ut. Gjithashtu, pritet që çështja t’i kalojë zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme.
Hetimi zhvillohet në një kohë kur AKSHI është përfshirë edhe në hetime të tjera të Prokurorisë së Posaçme.
Çështja ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e të dhënave personale dhe kontrollin mbi sistemet shtetërore. Mbetet për t’u përcaktuar se kush qëndron pas ndërhyrjeve, sa prej tyre kanë prodhuar dokumente apo përfitime të paligjshme dhe nëse ka përgjegjësi institucionale për mosbllokimin e aksesit.