Skip to content
Kryesore

Eurodeputeti gjerman kërkon qeveri teknike në Shqipëri: Njerëzit të votojnë të lirë, zgjedhjet nën hijen e korrupsionit

· 2 min lexim

Kriza politike në Shqipëri dhe protestat që vijojnë prej muajsh janë diskutuar këtë të martë, më 10 nëntor, në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian. Nënkryetari i këtij komiteti, eurodeputeti gjerman Michael Gahler, ka deklaruar se Shqipërisë i nevojitet një qeveri teknike për të rikthyer paqen sociale dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Gahler e cilësoi të justifikuar protestën e qytetarëve shqiptarë, ndërsa ngriti shqetësime për korrupsionin, standardet zgjedhore dhe skemat e pastrimit të parave.

“Mendoj se protesta e popullit është e justifikuar.

Një qeveri kujdestare, teknike mund të jetë zgjidhje për paqen në rrugë, paqe me shoqërinë civile dhe t’u japë njerëzve shpresë se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë të lira dhe të ndershme dhe jo të rrethuara me korrupsionin në hije. Realisht pyes se përse kemi parë kaq gjatë situatën e cila është kaq serioze, që është sfida me korrupsionin dhe mendoj se duhet ta shohim këtë shumë më në detaje.”

Eurodeputeti gjerman iu referua gjithashtu zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri, gjatë të cilave kishte drejtuar delegacionin e Partisë Popullore Europiane (EPP).

Sipas tij, problematikat që kishte konstatuar dhe dëshmitë që kishte dëgjuar gjatë procesit zgjedhor nuk përputheshin me standardet e Bashkimit Europian.

“Kam qenë drejtues i delegacionit të EPP-së për zgjedhjet e 2025-ës dhe ajo që kam dëgjuar dhe kam vërejtur aty, nuk përshtaten me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë skemat e pastrimit të parave. Nëse shikoni ndërtesat në Tiranë, e shihni lidhjen me këtë çështje.”

Me këtë deklaratë, Gahler ngriti shqetësime edhe për lidhjen mes ndërtimeve në kryeqytet dhe fenomenit të pastrimit të parave, duke kërkuar një shqyrtim më të thelluar të situatës së korrupsionit në Shqipëri.

Deklaratat e nënkryetarit të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë vijnë në një periudhë tensionesh të zgjatura politike dhe protestash në vend.