Operatori One Albania po përballet me një valë të fortë reagimesh nga abonentët, jo vetëm për rritjen e tarifave me 2.2 për qind, por edhe për një tjetër zhvillim që ka ndezur më shumë situatën: fshirjen e komenteve kritike dhe mbylljen e hapësirave të reagimit për qytetarët.
Njoftimi për rritjen e çmimeve është bërë në fund të muajit mars dhe pritet të hyjë në fuqi më 1 maj. (Lexo këtu) Kompania e justifikon këtë vendim me normën mesatare të inflacionit të publikuar nga INSTAT për vitin 2025, por abonentët e konsiderojnë këtë si një rritje të pastër fitimi, pa asnjë përmirësim konkret në cilësinë e shërbimit.
Pakënaqësia nuk lidhet vetëm me çmimet. Prej kohësh, përdoruesit denoncojnë probleme të përsëritura me rrjetin, duke përfshirë mungesë mbulimi, internet të ngadaltë dhe ndërprerje të shpeshta. Një nga episodet më të rënda ishte ai i disa javëve më parë, kur rrjeti pësoi një bllokim total për rreth 120 minuta, duke lënë mijëra abonentë pa shërbim.
Por ajo që ka përshkallëzuar reagimin publik është mënyra se si kompania po menaxhon kritikat. Sipas vëzhgimeve, komentet negative të qytetarëve në rrjetet sociale zyrtare të One Albania janë fshirë sistematikisht. Abonentët pretendojnë se çdo reagim kritik zhduket, duke krijuar perceptimin se po u mohohet e drejta për të ngritur shqetësimet e tyre.
Kjo situatë ka shtuar ndjeshëm tensionin mes kompanisë dhe klientëve, pasi problemi nuk shihet më vetëm si çështje çmimesh apo cilësie, por si një përpjekje për të kontrolluar dhe kufizuar zërin e publikut.
Në sfond mbeten edhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme, ku përmendet një bashkëpunim i dyshuar mes kompanisë “One” dhe shoqërisë “Gogel” në pronësi të Arbi Veliajt, vëllait të kryebashkiakut Veliaj. Sipas dyshimeve, bëhet fjalë për një skemë ku përfitohen tendera publikë dhe më pas një pjesë e fondeve kalon për shërbime reklamuese.
Në këtë klimë, kombinimi i rritjes së tarifave, problemeve të vazhdueshme me shërbimin dhe akuzave për fshirje të reagimeve ka krijuar një situatë të tensionuar, ku abonentët kërkojnë jo vetëm përmirësim të shërbimit, por edhe transparencë dhe llogaridhënie nga kompania.







