Dosja hetimore e SPAK për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit po thellohet, teksa dalin në dritë detaje të rënda që përfshijnë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve të Vox News, Prokuroria e Posaçme pritet të lëshojë urdhër-arreste për disa zyrtarë të nivelit të lartë të policisë, të dyshuar për përfshirje në raste rrëmbimi.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se këta drejtues nuk dyshohen vetëm për rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, por edhe për rrëmbimin e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
Zhdukja e Daniel Shimës më 20 gusht
Daniel Shima u zhduk më 20 gusht të këtij viti dhe u rikthye në banesë një ditë më vonë, në orët e vona të natës. Në atë kohë, Policia e Shtetit deklaroi se Shima ishte larguar me dëshirë, ndërsa vetë ai, në mënyrë informale, kishte pohuar se kishte qenë në Dhërmi.
Zhdukja u denoncua nga familjarët pasditen e 20 gushtit. Nëna e Shimës u njoftua fillimisht nga e dashura e 34-vjeçarit, e cila i tregoi se rreth orës 13:30 Danieli i kishte dërguar një mesazh ku shkruante: “Po më arreston policia”.
Pas këtij mesazhi, partnerja e Shimës kontaktoi policinë, por pasi u informua se ai nuk rezultonte i arrestuar apo i shoqëruar, njoftoi familjarët.
E njëjta skemë si në rastin e Gerond Meçes
Sipas Vox News, Daniel Shima nuk ishte larguar me dëshirë, por ishte marrë peng me të njëjtën skemë të përdorur ndaj biznesmenit Gerond Meçe. Ai dyshohet se është rrëmbyer nga persona të veshur me uniforma policie dhe është dërguar në rrethinat e Elbasanit, ku është kërcënuar.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se për pengmarrjen kanë pasur dijeni edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Ende nuk është e qartë nëse ata kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt, por SPAK dyshon se disa prej tyre kanë pasur rol aktiv në rrëmbimin e ish-zyrtarit të AKSHI-t.
Në këtë kuadër, ditën e sotme, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të SPAK, kanë kryer kontrolle në banesat e disa drejtuesve të policisë, ndërsa në orët në vijim priten masa të tjera procedurale, përfshirë edhe urdhër-arreste.
Denoncimi publik i Sali Berishës
Rasti i pengmarrjes së Daniel Shimës u denoncua pak ditë më parë edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një deklaratë publike, ai e cilësoi AKSHI-n si një institucion me “histori si në Hollywood”, duke pretenduar se Shima ishte rrëmbyer për shkak se kishte dijeni për aktivitetet brenda këtij institucioni.
Berisha deklaroi se fillimisht kishte ekzistuar urdhër për vrasjen e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, por ky urdhër ishte ndryshuar pasi rrëmbimi ishte bërë publik. Sipas tij, Shima ishte dhunuar rëndë gjatë pengmarrjes.
“Urdhri ishte ta groposnin, por u ndryshua kur u mësua se kishte dërguar mesazh tek të afërmit. Në atë moment e torturuan dhe ia thyen kockat”, deklaroi Berisha, duke shtuar se disa prej personave të përfshirë në aferat e tenderëve të AKSHI-t ndodhen jashtë vendit dhe kanë lidhje me grupe kriminale.
Hetimet e SPAK për këtë çështje vijojnë, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja në lidhje me përgjegjësitë penale të zyrtarëve të dyshuar.








