Skip to content
Të Gjitha

Rindërtimi/ Kryemadhi akuza qeverisë: Bebe Rexha s’ka marrë ende lejen për ndërtimin e shtëpive

· 2 min lexim

Tërmeti i 26 nëntorit, i cili shkaktoi 51 viktima, la mijëra shqiptarë pa shtëpi.

Mes shumë personazheve publike, por jo vetëm, edhe këngëtarja shqiptare Bebe Rexha dha ndihmën e saj në situatën e krijuar, duke vizituar Bubqin, një nga zonat e dëmtuara nga tërmeti dhe premtoi ndërtimin e dy shtëpive dhe një shkolle.

Mirëpo, mbrëmjen e sotme kyetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u shpreh se Bebe Rexha nuk ka marrë ende lejen për shtëpitë që është ofruar të ndërtojë.

Në një intervistë për “Java” kreu i LSI tha se edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj nga tërmeti, Rexhës nuk i është dhënë ende leja që të nisë në ndërtimin e shtëpive, pasi ende nuk janë prishur ato që kanë ngelur pas shembjeve që pësuan nga tërmeti.

“Urrejtja ndaj Ramës duhet treguar me votë në kuti, ai ka cënuar tryezën e çdo familje shqiptare… Mos u çudisni kur te fillojë me paketat e tij të ekonomise, edhe për paketën e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmet, ndërkohë që ai akoma s’ka ndërtuar as edhe një. Edhe pse kanë kaluar 6 muaj Bebe Rexhës nuk i është dhënë akoma leja për të vazhduar të ndërtojë shtëpitë pasi ato akoma nuk janë prishur,”- tha Kryemadhi ndër të tjera.

Sakaq, lidhur me pandeminë e Covid-19, Kryemadhi vijon ende t’i qëndrojë mendimit të saj se koronavirusi është një “lojë politike” për të ndryshuar rregullat e politikës.

“Unë besoj dhe vazhdoj të besoj që koronavirusi është një lojë politike për ndryshimin e rregullave të politikës. Është një riformatim i botës”, u shpreh Kryemadhi në emisionin Java në RTSH.

Sipas saj koronavirusi është krijuar në laborator dhe ata që e kanë krijuar e dinë se ç’bëhet.

“Ideatorët e pandemisë janë njerëz që kanë kërkuar të rishikojnë sjelljen e njerëzve. Koronavirus është një virus i prodhuar në laborator dhe ata që e kanë prodhuar e dinë si çbëhet. Në filozofinë e saj është thjesht një riformatim, ne jemi një pikë në oqean. Ne jemi shtet shumë i varfër, vend shumë i pasur dhe me një popullësi të varfër për shkak të keqmenaxhimit”, tha Kryemadhi.