Skip to content
Kryesore

RENEA zbarkon në Memaliaj, arrestohet nga Policia Adriatik Kalemi

· 2 min lexim

Policia ka vënë në pranga Adriatik Kalemin, pasi gjatë një kontrolli për autorin e vrasjes së Edmond Papës i janë gjetur armë në banesë. Kalemi, i cili iu ka shpëtuar disa atentateve brenda dhe jashtë vendit, është vënë në pranga pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij, policia ka gjetur arsenal armësh.

Njoftimi i policisë: Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Poclicisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Shtetasi A. K., 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vijon.

Kalemi, ka një dosje të mbushur në policinë shqiptare, ndërsa përfshirja e tij në veprimtari kriminale daton që në vitin 2001. Ai u arrestua në një operacion ku morën pjesë edhe forcat RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje nga autoritetet belge. Kalemi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij, Fatmirin, kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan dhe Adriatik Çaça. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në Anderleht më 13 Prill 2001.

Pas 16 vitesh, në 2017-ën ai u arrestua sërish. Së bashku me 2 persona të tjerë, duke qenë të dehur, kundërshtuan punonjësin e policisë. Një person i katër që ishte me ta goditi me shufër hekuri në kokë policin.

5 vite më vonë, atij i ekzekutuan nipin e tij, Aleksandër Sadikajn. Atentati ndodhi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ndërsa për vrasjen e Sadikaj u përdor shpërthimi me eksploziv në distancë, një prej ngjarjeve më të rënda për nga mënyra e ekzekutimit në Shqipëri.