Skip to content
Të Gjitha

Reforma zgjedhore/ Shtyhen punimet e Komisionit, Hajdari dhe Gjiknuri i përgjigjen propozimeve të opozitës jashtëparlamentare

· 2 min lexim

Pas ndërprerjes prej disa javësh për shkak të COVID-19, Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur online ditën e sotme.

Mësohet se qëllimi i mbledhjes ka qenë informimi i anëtarëve për ecurinë e Reformës.

Dy bashkëkryetarët, Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri, kanë informuar anëtarët e tjerë për ecurinë e Reformës, që nga formimi i Këshillit Politik, ku pjesë ishte edhe opozita jashtëparlamentare, deri në momentin e ndërprerjes.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ndërkohë ka deklaruar se Këshilli Politik nuk do të mblidhet më nëse nuk ka përgjigje për 5 propozimet e bëra.

Gjiknuri i ka quajtur kontradiktore deklaratat e Kryemadhit, duke thënë se mesazhi nuk është i qartë, ndërsa shtoi se maxhoranca dhe opozita parlamentare i kanë votat për ta miratuar Reformën në Kuvend.

Hajdari nga ana tjetër, tha se opozita e ka vetë në dorë dhe se Reforma do të ecë përpara.

Më tej ajo theksoi se beteja e saj për sistemin zgjedhor do të vazhdojë, pasi parlamenti nuk gëzon sovranitetin e popullit.

Afati për punimet e Komisionit është shtyrë deri më 30 qershor, duke qenë se reforma nuk u mbyll më datë 15 siç ishte planifikuar, për shkak të COVID-19.