Rama niset sot drejt Parisit/ Nga takimi me Macron te negociatat, zbardhet axhenda
Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Francës për një vizitë në Paris, ku do të pritet nga Presidenti francez, Emanuel Macron.
Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Presidencës franceze, ku ndër të tjera njofton se takimi mes Ramës e Macron do të nisë në orën 13:00 të kësaj të hëne.
Në axhendë thuhet se pas takimit në pallatin presidencial, “Elysee” do të ketë një drekë mes kryeministrit Rama dhe Presidentit Macron në orën 13:20.
Sakaq ende nuk dihen temat e diskutimit që do të trajtohen në takimin Rama-Macron, por pritet që fokusi qendror të jetë në temat e menaxhimit të situatës së pandemisë nga COVID-19 dhe procesi i negociatave të BE me Shqipërinë.
Kujtojmë se Franca ka qenë një ndër vendet më skeptike për të aprovuar hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit.
Takimi i fundit mes Ramës dhe Presidentit Macron në Paris daton më 15 Maj 2018, ndërsa duhet kujtuar se shteti francez, u tregua më skeptike me Shqipëinë sa i përket çeljes së negociatave.
Nuk duhet harruar se, një vizitë e tillë, në prag të nisjes zyrtare të fushatës në Shqipëri, do të përdoret edhe elektoralisht nga kryeministri Edi Rama.