Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje me Grupin Parlamentar të Partia Socialiste pas vendimit të Gjykata Kushtetuese që rivendosi pezullimin e ministres Belinda Balluku. Rama deklaroi se socialistët do të angazhohen për zgjidhjen e situatës përmes ndërhyrjeve në legjislacion, duke theksuar se funksionet kushtetuese të pushtetit ekzekutiv nuk mund të pezullohen.
“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga anëtarët e qeverisë deri te Presidenti i Republikës, nuk mund të pezullohen duke u nisur nga një emër i përveçëm, pasi kjo do të sillte paralizimin e institucionit që ata drejtojnë.
Rama shtoi se nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK, i cili ka kërkuar arrestimin e Ballukut, duke sqaruar se për një veprim të tillë duhet më parë t’i hiqet imuniteti i deputetes nga Kuvendi.
Në reagimin e tij, Rama renditi tre përfundime nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres.
Së pari, ai theksoi se funksionet e padelegueshme kushtetuese nuk mund të pezullohen nga askush, pasi pezullimi paralizon funksionin dhe institucionin përkatës.
Së dyti, ai nënvizoi se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për një zgjidhje përmes ndërhyrjes në legjislacion.
Së treti, Rama deklaroi se e vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK, i cili, sipas tij, mund të vijojë hetimin pa pengesa, ndërsa deri në adresimin ligjor të çështjes nuk ka urgjencë për të trajtuar kërkesën e bërë pas rënies së masës së pezullimit.
Në një shtesë të reagimit, kryeministri u shpreh se SPAK sipas tij nuk preket, por vetëm mbështetet, duke garantuar lirinë dhe të drejtën e çdo prokurori për të hetuar këdo dhe çfarëdo. Ai shtoi se edhe pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv nuk preket, por vetëm garantohet.
Reagimi i Ramës:
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :
1– Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
2- Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
3- E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.








