Trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili humbi jetën më 8 janar të këtij viti në spitalin e Tiranës, është zhvarrosur për t’u nënshtruar autopsisë.
Procesi është kryer nga ekspertë të institutit të mjekësisë ligjore dhe prokurorë të prokurorisë së Tiranës, në prani të familjarëve të viktimës.
Ekspertët do të marrin mostra nga trupi për t’i dërguar në laborator për të hetuar shkakun e vdekjes.
Mjekët e QSUT konkluduan se Leo ka ndërruar jetë nga miokarditi akut, ndërsa familja akuzon për neglizhencë mjekët që trajtuan djalin.
Në fillim, familjarët refuzuan autopsinë, por pas nisjes së hetimeve nga prokuroria, kjo procedurë u krye për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Ata kanë protestuar dhe kërkuar një hetim të plotë.