Korporata japoneze Toyo Tire ka nisur ndërtimin e një qendre kërkimore dhe zhvillimore me vlerë 29 milionë euro në Serbi, në qytetin Inxhia, duke shënuar një tjetër hap të zgjerimit të saj në këtë vend. Lajmi u bë i ditur më 19 mars nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Projekti përfaqëson fazën e re të pranisë së Toyo Tire në Serbi, pasi kompania ka vendosur të zhvendosë aktivitetet e saj kërkimore evropiane nga Gjermania. Sipas njoftimit, objekti i ri pritet të nisë punën në vitin 2027.
“Në vitin 2019, Toyo Tire erdhi në Serbi, ndërtoi objektin e saj të parë të prodhimit evropian dhe sot po bëhet një qendër kërkimore dhe zhvillimore për të gjithë kontinentin,” deklaroi Vuçiç në një postim në Instagram.
Fabrika e Toyo Tire në Serbi, e hapur në vitin 2022, prodhon rreth pesë milionë goma në vit. Deri tani, kompania ka investuar afro 383 milionë euro në Serbi dhe ka hapur më shumë se 600 vende pune.
Sipas zyrës së shtypit të presidentit serb, Serbia po merret gjithashtu në konsideratë si një vend i mundshëm për një projekt të ri që lidhet me prodhimin e gomave për kamionë dhe aeroplanë.
Ndërkohë që në Shqipëri diskursi publik dominohet nga shifrat e hyrje-daljeve në kufi dhe rritja e turizmit, Serbia po tërheq investime të mëdha strategjike në industri dhe teknologji, duke u pozicionuar si një qendër rajonale prodhimi.
Serbia vijon të tërheqë investime të orientuara drejt eksporteve, veçanërisht në industrinë automobilistike. Të dhënat e zyrës kombëtare të statistikave, RZS, tregojnë se eksportet totale të vendit në vitin 2025 arritën në 33.1 miliardë euro, ndërsa sektori i automobilave përbënte rreth 12 për qind të totalit.
Përveç Toyo Tire, edhe kompani të tjera japoneze, mes tyre JFE Shoji, po shtojnë investimet në Serbi.
Zgjerimi i Toyo Tire vjen pas vizitës shtetërore të presidentit Vuçiç në Tokio në shtator 2025, ku ai e prezantoi Serbinë si një bazë rajonale për prodhimin e automobilave.








