Skip to content
Kryesore

Qeveria premtoi fondet e IPARD III në shtator, por fermerët mbeten pa 146 mln euro/ BE: Ende s’ka datë, paratë e abuzuara me IPARD II duhet të kthehen

· 5 min lexim

Qeveria shqiptare premtoi shtatorin, por shtatori erdhi dhe 146 milionë euro për bujqësinë shqiptare mbeten ende të bllokuara. Komisioni Evropian jo vetëm që nuk konfirmon hapjen e programit IPARD III, por deklaron se aktualisht nuk mund të japë asnjë afat se kur Shqipëria do të marrë dritën jeshile.

Përgjigjja e Brukselit bie ndesh me optimizmin e përsëritur prej muajsh nga zyrtarët shqiptarë.

“Jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD 3”, deklaronte ministri Petrit Malaj më 30 janar 2026.

Më 8 korrik, Andis Salla deklaronte për Report TV:

“Për fondet IPARD, jemi në fazën përfundimtare të vlerësimit”.

Por në mes të shtatorit, tabloja që jep Komisioni Evropian është tjetër. Nuk ka ende miratim, nuk ka Marrëveshje Financiare dhe, mbi të gjitha, nuk ka një datë se kur IPARD III do të nisë në Shqipëri.

Në përgjigjen për Report TV, Komisioni Evropian konfirmon se vijon të shqyrtojë kërkesën që autoritetet shqiptare paraqitën në prill 2026. Në këtë proces po merren parasysh edhe gjetjet e OLAF-it për fondet evropiane, si dhe masat që Shqipëria pretendon se ka marrë për forcimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit.

“Në prill 2026, autoritetet shqiptare i kanë paraqitur Komisionit Evropian kërkesën për vlerësimin e detyrave të zbatimit buxhetor për masat e programit IPARD III 2021–2027. Shërbimet e Komisionit po e vlerësojnë këtë kërkesë, duke marrë në konsideratë, ndër të tjera, gjetjet e OLAF-it, si edhe përmirësimet e bëra nga autoritetet shqiptare në sistemin e tyre të menaxhimit dhe kontrollit për zbatimin e IPARD III”, thotë KE.

Pra, përpara se paratë të zhbllokohen, Shqipëria duhet të bindë Brukselin se ka ngritur mekanizmat e nevojshëm për menaxhimin dhe mbrojtjen e fondeve të Bashkimit Evropian. Vetëm pas përfundimit të këtij vlerësimi mund të kalohet në hapin tjetër: lidhjen e Marrëveshjes Financiare mes Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Evropian.

Dhe pikërisht këtu Brukseli rrëzon çdo pritshmëri për një datë konkrete.

“Pasi procedura të përfundojë, Qeveria e Shqipërisë dhe Komisioni Evropian do të duhet të lidhin Marrëveshjen Financiare për zbatimin e programit IPARD III. Kjo marrëveshje do të bëjë të disponueshme fondet e BE-së për Shqipërinë. Aktualisht nuk është e mundur të thuhet se kur mund të miratohet delegimi dhe, për rrjedhojë, ende nuk dihet data e fillimit të zbatimit të programit IPARD III në Shqipëri”, vijon përgjigjja.

Por problemi nuk mbaron me IPARD III. Shqipëria ka ende të hapur me Brukselin edhe faturën e IPARD II, programi për të cilin OLAF evidentoi keqpërdorime pas hetimeve të nisura nga denoncime për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike.

Komisioni Evropian konfirmon se aktualisht zhvillohet një procedurë dypalëshe me autoritetet shqiptare dhe paralajmëron qartë se çdo shumë e konstatuar si e shpenzuar në mënyrë të parregullt apo pa të drejtë duhet t’i kthehet buxhetit të Bashkimit Evropian.

“Për programin IPARD II 2014–2020 dhe rrezikun ndaj fondeve të BE-së të lidhur me parregullsitë, aktualisht është në zhvillim një procedurë dypalëshe mes Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare. Çdo shumë që konstatohet se është shpenzuar në mënyrë të parregullt ose pa të drejtë, do të duhet t’i kthehet buxhetit të Bashkimit Evropian. Meqenëse kjo procedurë dypalëshe është ende në vijim, për momentin nuk mund të jepet informacion i mëtejshëm”, thotë KE.

Komisioni nuk jep ende një vlerë të parave që mund të kërkohen mbrapsht, pasi procedura vazhdon. Por mesazhi politik dhe financiar është i qartë: fondet e reja nuk po çlirohen ende, ndërsa për fondet e vjetra të përdorura në mënyrë të parregullt mund të vijë detyrimi për kthimin e parave.

Në fund të përgjigjes së tij, Brukseli vendos edhe kushtin themelor për rikthimin e mbështetjes: është “të gatshëm të vijojnë mbështetjen për fermerët shqiptarë, me kusht që interesat financiare të BE-së të mbrohen në mënyrë të duhur”.

Në lojë janë shuma të konsiderueshme për bujqësinë shqiptare. IPARD III parashikon në total 9 masa dhe 146 milionë euro financim, prej të cilave 112 milionë euro nga Bashkimi Evropian dhe 34 milionë euro nga buxheti i shtetit. Programi duhet të mbështesë ndër të tjera infrastrukturën rurale, ndërtimin e tregjeve, agro-përpunimin, agro-turizmin, pylltarinë, asistencën teknike dhe këshillimin.

Por fermerët shqiptarë vazhdojnë të presin.

Komisioni Evropian ndërpreu mbështetjen për bujqësinë shqiptare përmes IPARD në gusht 2023, pasi OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, evidentoi keqpërdorime me fondet e programit IPARD II. Hetimet kishin nisur pas denoncimeve të qytetarëve për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike. Dosja po hetohet edhe nga drejtësia shqiptare.

Tre vite pas ndërprerjes së fondeve, pas premtimeve për hapjen e IPARD III dhe pasi qeveria e shpalli shtatorin si horizontin e pritshëm, përgjigjja nga Brukseli mbetet e prerë: ende nuk ka një datë. Deri atëherë, faturën e skandalit me fondet e mëparshme e paguan bujqësia shqiptare, me miliona euro që vazhdojnë të qëndrojnë larg fermerëve.