Skip to content
Kryesore

Punonjësi i Bashkisë Tropojë humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike/ Ndalohen drejtori i Shërbimeve Publike dhe drejtuesi teknik

· 2 min lexim

Një punonjës i Bashkisë Tropojë humbi jetën dhe tre kolegë të tij u plagosën pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike gjatë vendosjes së një shtylle ndriçimi. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, hetimet kanë çuar në ndalimin e dy zyrtarëve të Bashkisë, të dyshuar për shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë.

Ngjarja ndodhi më 8 shtator 2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po punonin për vendosjen e një shtylle ndriçimi.

Sipas hetimeve të deritanishme, katër punonjësit po mbanin shtyllën për ta vendosur në bazament, kur kanë humbur ekuilibrin. Për pasojë, shtylla ka prekur telat elektrikë dhe ka përcjellë rrymën te të katër punonjësit.

Nga kontakti me energjinë elektrike humbi jetën shtetasi M. S., ndërsa u dëmtuan A. D., I. D. dhe A. A. Tre të plagosurit u transportuan për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat, si dhe përgjegjësitë e mundshme. Në vijim të hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë, Komisariati i Policisë Tropojë ndaloi dy zyrtarë.

Policia njoftoi:

“Policia bën me dije se në vijim të këtyre veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive të lidhura me rastin e ndodhur më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:

-N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.”

Dy zyrtarët po hetohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.