Një tjetër episod provokues ka shënuar atmosferën para ndeshjes Serbi–Shqipëri, që do të luhet të shtunën mbrëma në stadiumin “Duboçica” të Leskovacit. Në stërvitjen e fundit të Kombëtares shqiptare, vërehej qartë mungesa e flamurit kuqezi në ambientet e stadiumit, ndonëse flamujt e tjerë të vendeve pjesëmarrëse ishin vendosur.
Gesti i Federatës Serbe të Futbollit ka shkaktuar menjëherë reagime dhe indinjatë në opinionin sportiv shqiptar. Në një kohë kur UEFA predikon respektin, barazinë dhe frymën sportive, heqja e flamurit të një ekipi kombëtar shihet si një provokim i hapur dhe një shkelje e etikës sportive.
Sipas mediave serbe, as flamuri i UEFA-s nuk ishte vendosur deri në orët e vona të ditës, duke shtuar dyshimet se veprimi ishte i qëllimshëm. Për më tepër, Federata Serbe ka njoftuar se në stadium do të ndalohen kategorikisht çdo simbol shqiptar dhe çdo pankartë që lidhet me identitetin kombëtar të tifozëve kuqezi. Rreth 5000 spektatorë pritet të jenë të pranishëm në “Duboçica”, ndërsa kontrollet e sigurisë janë paralajmëruar si “jashtëzakonisht të rrepta”. Çdo person do të hyjë vetëm me biletë të personalizuar dhe me verifikim të identitetit, çka synon të shmangë çdo mundësi tensioni.
I pyetur nga Top Channel lidhur me mungesën e flamurit shqiptar, përfaqësuesi i Federatës Serbe është përpjekur ta justifikojë vendimin, duke deklaruar se “flamuri është hequr për të evituar ndonjë incident nga persona dashakeqë”. Ai shtoi se flamuri kuqezi do të vendoset ditën e ndeshjes dhe do të qëndrojë gjatë gjithë takimit.
Megjithatë, për shumëkënd, ky justifikim tingëllon si një përpjekje e vonuar për të zbutur pasojat e një provokimi të qartë. Kujtohet se marrëdhëniet mes dy federatave kanë qenë të tensionuara që prej ngjarjeve të vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë u ndërpre pas incidentit të famshëm me dronin që mbante hartën e Shqipërisë së Madhe.
Ndërkohë, Kombëtarja shqiptare, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, ka zhvilluar me qetësi stërvitjen e fundit para përballjes, duke ruajtur fokusin tek objektivi sportiv. Atmosfera brenda skuadrës është e qetë dhe lojtarët duken të motivuar për të dhënë maksimumin në një ndeshje me ngarkesë të veçantë emocionale.
Sfida Serbi–Shqipëri do të luhet të shtunën në orën 20:45 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në DigitAlb. Përveç vlerës sportive, ajo pritet të jetë edhe një test i rëndësishëm për vetë organizatorët serbë, të cilët do të duhet të tregojnë se janë të aftë të garantojnë respektin dhe barazinë që kërkon futbolli ndërkombëtar.