Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e një proteste sot në orën 18:00 para Kryeministrisë, ndërsa Policia e Tiranës bën me dije se nuk e ka autorizuar tubimin dhe deklaron se nuk e merr përsipër mbarëvajtjen e tij, duke paralajmëruar rrezik për veprime të dhunshme.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Tiranës sqaron se përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë njoftuar zhvillimin e një tubimi më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Sipas policisë, vendimi për të mos marrë përsipër zhvillimin e tubimit është bazuar në analizën e riskut dhe në ngjarjet e protestës së kaluar, ku pati shtetas të maskuar që hodhën bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar punonjës policie. Gjithashtu, sipas autoriteteve, ka informacione se edhe në protestën e sotme mund të ketë veprime të dhunshme.
Në deklaratën e saj, policia shprehet:
“Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër“-njofton policia.
Autoritetet theksojnë se masat janë marrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa situata do të vlerësohet në vijimësi në varësi të zhvillimit të tubimit.








