Në një intervistë për emisionin “Koha për t’u zgjuar” gjinekologu Shkëlqim Balili foli mbi rëndësinë e shëndetit riprodhues dhe shqetësimet që lidhen me infertilitetin në vend.
Ai ngriti alarmin për rënien e ndjeshme të lindshmërisë në Shqipëri, duke kujtuar se dikur maternitetet regjistronin deri në 40 lindje në ditë, ndërsa sot numri i lindjeve është ulur ndjeshëm.
Sipas mjekut, një nga shkaqet kryesore të infertilitetit është prania e infeksioneve, sidomos tek femrat, të cilat shpesh kalojnë pa u vënë re.
Ai theksoi rolin që luan mikrobioma e vaginës dhe zorrës në ruajtjen e një shëndeti riprodhues të qëndrueshëm. Balili sqaroi se ndryshimi i nivelit të pH në vaginë, nga vlera normale 3.8 në 4.2, krijon terren të përshtatshëm për infeksione që mund të dëmtojnë seriozisht fertilitetin.
“Shëndeti nëse do të mund ta përkufizonim me një fjalë do të ishte një mirëqenie e plotë fizike, psikologjike dhe një aftësi riprodhuese. Mundësi për të qenë i aftë fizikisht e për t’u riprodhuar.
Sot në Shqipëri vëmë re që si komb na kanë rënë lindjet. Nuk mund ta besoj që kur isha 35 vjeç në maternitet, kishim 40 lindje në 24 orë. Tani shkojnë ose jo 10 gra. Kur sheh statistikat nuk të vjen mirë që ky komb i bekuar nuk ka atë jetë dhe riprodhim që kishte. Ka shumë njerëz që nuk kanë shëndetin riprodhues por nuk kanë asnjë shenjë për një gjë të tillë. Kujdes duhet të tregohet edhe me sëmundjet seksualisht të transmetueshme që shpesh ndikojnë në shëndetin riprodhues, si dhe infeksionet te femrat. Nëse PH ndryshon nga 3.8 në 4.2 kjo çon në krijimin e infeksioneve. Infeksioni është i domosdoshëm të kurohet sepse sperma vdes në 3 minuta në një vaginë të infektuar, kur në fakt duhet të jetojë 5 ditë”, tha ai.
Ai u ndal edhe tek abortet, ku ka theksuar se sa më herët ndodh aborti aq më shumë janë probleme gjenetike, të kromozoneve.
“Nëse sperma dhe veza janë jo cilësisht të shëndetshme krijohen probleme që ccojnë në një abort të hershëm. Kërkojmë një ekzaminim të testeve, fizik, për hormonet, për spermën dhe kohën e fundit kërkojmë edh një ADN të fragmentuar. E njëjta procedurë edhe për femrën. 3 muaj më parë se të kërkohet koncepsioni, duhet të bëhet konsultë nga të dyja palët. Sepse nuk është vetëm koncepsioni, por edhe krijimi i fetusit dhe shkuarja e shtatzënisë”, tha ai.