Skip to content
Të Gjitha

“Porti i Durrësit si projekti për Manhatin e Zagrebit”, Rama kërkon falje publike

· 2 min lexim

Teksa projekti i Portit të Durrësit është kthyer në “mollë sherri” midis opozitës dhe mazhorancës, ditën e djeshme kryeministri Edi Rama deklaroi se kjo që po ndodh në Durrës, ka ndodhur më parë edhe në Zagreb.

Ndërkohë ditën e sotme Rama e pranon që informacioni nuk ishte i vërtetë dhe pranon se postimi i tij i gabuar nuk do të kishte ndodhur nëse do të kishte bërë një kontroll të thjeshtë në media.

“Postimi i djeshëm mbi “Manhatanin e Zagrebit”nuk reflekton të vërtetën e ecurisë së mëtejshme të projektit dhe kërkoj ndjesë për nxitimin!Një kontroll i thjeshtë do mjaftonte për të mos gabuar, por kush s’është gënjeshtar as bën sikur s’ka gjë as nuk justifikohet,po kërkon falje!”, shkruajti kryeministri Rama në Tëiter.

Theksojmë se për postimin e Ramës reagoi edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai tha se nuk zgjati as një ditë të vetme mashtrimi, që kryeministri serviri për publikun shqiptar në një kohë kur projekti për portin e Durrësit ka vënë në lëvizje opozitën në tërësi.

Po ashtu kreu i PD-së tha se duhet të bëjnë maksimumin për të ndaluar këtë projekt shkatërrues, që synon grabitjen e pasurisë më të madhe të shqiptarëve.

Postimi i djeshëm i kryeministrit

Sipas tij “Eagle Hills”, kompania e Muhammed El Alabbar që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit është mirëpritur në Kroaci për të ndërtuar “Manhatanin e Zagrebit”.

Por siç u raportua në media, projekti është anuluar.