Nga Arben Malaj
Kujdes! Protesta paqësore dhe atdhedashëse mund të “vetëvritet” nga populizmi euforik.
Kjo për disa arsye kryesore:
1. Mosqartësimi i fenomenit të ngritjes së socializmit të gjeneratës së re, referuar edhe këtij artikulli, duke e mbingarkuar protestën me shumë mesazhe që zbehin objektivitetin dhe sidomos misionin e saj.
2. Dorëheqja e Ramës është një objektiv plotësisht i realizueshëm, sepse qeveria e tij, thjesht personale, është e kalbur. Çdo gjë e kalbur bie.
3. Misioni i vetëm i kësaj proteste duhet të jetë “Shqipëria e Re”.
4. Ky mision duhet qartësuar se çfarë nënkupton dhe si do të realizohet.
5. Ky mision nuk mund të jetë thjesht një paralele e protestave, por një vizion dhe objektiv i realizueshëm.
6. Objektivat duhen qartësuar mirë, sa më thjeshtë dhe sa më lehtësisht të kuptueshme nga çdo protestues dhe çdo shqiptar: cilët janë të menjëhershëm dhe afatshkurtër, cilët janë afatmesëm dhe cilët janë pjesë e vizionit afatgjatë.
7. Objektivat duhet të jenë të mirëstrukturuara, duke filluar nga ndryshimet kushtetuese, sociale, ekonomike dhe buxhetore.
8. Kjo kërkon që për këto objektiva jo të lehta të fillojnë të angazhohen ekspertë shqiptarë, nga diaspora, por edhe të huaj, që bashkohen në platforma online, të mirëpërdorin mundësitë e jashtëzakonshme të inteligjencës artificiale dhe të hartojnë draft-dokumentet për reformat specifike.
9. Vetëm mbi bazën e këtyre dokumenteve për reformën e thellë politike duhet të përgatitet draft-kontrata e protestuesve me gjithë shqiptarët.
10. Kjo punë duhet të fillojë pa vonesë, sepse rrit besueshmërinë dhe mbështetjen publike përpara, gjatë dhe sidomos pas protestave.
11. Kujdes nga populizmi euforik! Bazuar edhe në artikullin e mësipërm, premtimet euforike janë “gropa të thella” që fundosin si lëvizjet e reja shoqërore, ashtu edhe ato politike.
12. Protestat tona duhet të nxjerrin mësime nga “Pranvera Arabe”, e cila rrëzoi “mbretëri familjare” dhe “mbretëri personale” qindra miliardë dollarëshe, por dështoi në misionin për të ndërtuar të nesërmen e premtuar.
13. Lëvizja e protestuesve duhet të bëjë shumë kujdes nga vetëkënaqësia, nga përçarja apo edhe nga keqpërdorimi prej “dy vëllezërve siamezë” që mbretërojnë mbi vrasjen e shpresës dhe të së ardhmes së të gjithë shqiptarëve.
14. Protesta duhet të bëhet gati për të qenë konkurruese që në zgjedhjet e reja për pushtetin qendror, por sidomos për çdo opsion për zgjedhje parlamentare të parakohshme. Lëvizja e protestuesve duhet bërë për të parandaluar dorëheqjen tinëzare të Ramës, i cili mund të largohet përkohësisht jo për të ikur vërtet, por për t’u rikthyer:
(i) me më shumë agresivitet;
(ii) me më shumë hakmarrje primitive.
E fundit, të dashur protestues atdhetarë, paqësorë dhe të mirëarsimuar:
Të përkushtuar ndaj misionit historik, ajo që presin shqiptarët nga ju është një dhe vetëm një:
“Shqipëria e Re”.
Suksese dhe mirënjohje!








