Skip to content
Të Gjitha

Policia sqaron qytetarët: Nuk lejohet shitja në dyqane e markete në oraret e kufizimit

· 2 min lexim

Policia ka dhënë një sqarim të ri për masat e reja shtrënguese, nisur nga pyetjet e shumta të qytetarëve.

Në njoftimin e policisë, thuhet se nuk do të ndalohet qarkullimi i makinave të mallrave, produkteve ushqimore dhe fruta perimeve, por shitja në pikat e shumicës dhe pakicës në oraret e kufizuara.

Gjithashtu për emergjencat shëndetësore, qytetarët duhet të njoftojnë në numrat 112 dhe 129, për të dhënë arsyen e lëvizjes, itinerarin, targën e automjetit dhe personit që do të shkojë në spital.

Njoftimi i policisë

Nisur nga pyetjet e shumta drejtuar Policisë së Shtetit nëpërmjet adresave zyrtare të vëna në dispozicion të qytetarëve, sqarojmë se:

Lejohet qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave, produkteve ushqimore dhe fruta-perime, nga tregjet e shumicës për të furnizuar marketet dhe minimarketet, por NUK lejohet shitja në minimarket, marketet e çdo dyqan me pakicë e shumicë, në oraret kufizuese të publikuara.

Për të gjithë ata që kanë një emergjencë shëndetësore, duhet të njoftojnë 112 dhe 129 duke dhënë arsyen e lëvizjes dhe itinerarin, targën e automjetet dhe të personit që do shkojë në spital për ndihmë mjekësore.

Që prej orës 13:00 deri në orën 05:00 të ditës së hënë qarkullimi i njerëzve është i ndaluar me urdhër të kryeministrit.

Në rrugë do të jenë vetëm makinat e ushtrisë, policisë, ato të shërbimeve të emergjencës, mediat dhe makinat e autorizuara.

Përsa i përket orarit të ri 05:00-13:00, Rama tha se do të jetë në fuqi përgjatë gjithë javës tjetër.

Kujtojmë këtu se numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë është 76, nga të cilët dy viktima dhe një i shëruar.

Tek spitali Infektiv janë shtruar 37 persona, 4 prej të cilëve mbahen në terapi intensive.

Autoritetet ndërkohë kanë vijuar me thirrjet për respektimin e higjienës dhe distancimit social.