Vdekja e Daorsa Spahija, studentes nga Gjakova që humbi jetën më 5 nëntor në Tetovë pasi ra nga një ndërtesë, ka hapur debat dhe dyshime serioze. Arbër Zhubi, shoku i saj, pretendon se 24 vjeçarja nuk i dha fund jetës, por u shty nga i dashuri i saj. Ai ngre aludime se policia e Maqedonisë së Veriut mund të ketë fshehur rrethanat e vërteta të ngjarjes.
Sipas deklaratës së tij për Klan Kosova, “Personi pasi ka shtyrë vajzën rreth orës 16:15, ka zbritur poshtë, dhe e ka konfirmuar vdekjen e shoqes sonë, Daorsës, pra personi Hevzi Sejdiu, më pas, kamerat e sigurisë janë rreth pesë ose gjashtë kamera që përfshijnë hyrjet e apartamenteve, garazhe që kanë pamje të jashtme”.
Zhubi shton se, “Rasti është vrasje, që është fshehur nga Policia e vendit, dhe është krijuar terreni perfekt që konsiderohet vetëvrasje. Për shkak që në Maqedoni kanë memorandum që rastet e vetëvrasjeve të mos përmenden në media, kjo krijon edhe rastin perfekt që të mos komentohet nëpër media, dhe të orkestrohet paraprakisht me policinë vendore, persona që kanë kryer krimin, dhe krimi të mos bëhet kurrë publik”.
Në një video të publikuar në Instagram, ai ndan edhe detaje nga jeta e studentes, duke thënë se Daorsa ishte prej dy vitesh në një lidhje me 31 vjeçarin, por pa e ditur se ai ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
“Hevzi Sejdiu, 31 vjeçar njihet si kriminel në Maqedoni, edhe pse pati tre fëmijë dhe grua u përfshi në jetën e Daorsës, nuk e informoi që ka grua dhe fëmijë, u njoftua me familjen e vet deri në momentin kur u zbulua e vërteta. Hevzi Sejdiu u lirua disa muaj më parë për trafikun e dhjetëra armëve. Nëse ai do të ishte në burg, nuk kishim ardhur në këtë situatë”, deklaron Zhubi.
Ai shton se Daorsa priste të diplomonte më 13 nëntor, por sipas tij u përball me presion dhe kërcënime pasi kishte zbuluar të vërtetën për partnerin. “Ajo u desh të diplomonte më 13 nëntor, nuk diplomoi se një kriminel e ka gënjyer, ai nuk ka treguar që ka familje, të dashur e partnere. U përfshi në jetën e saj dhe kur u kuptua e vërteta, e ka kërcënuar, shantazhuar dhe ia ka rrëmbyer dokumentacionin. Nuk e pati zgjidhjen të shkonte as në stacionin e policisë, kjo ka vazhduar me vite. Mbi 2 vjet lidhje me gjendje mentale të rënduar”.
Daorsa Spahija, vajza e ish ushtarit të UÇK Arbër Spahija, u përcoll për në banesën e fundit më 7 nëntor në qytetin e Gjakovës. Deri në reagime zyrtare dhe publikimin e provave nga autoritetet, deklaratat vazhdojnë të mbeten në nivel pretendimesh ndërsa familja dhe miqtë kërkojnë zbardhje të plotë të ngjarjes.







