Skip to content
Bota

“Po vuajnë për një copë bukë”, anëtari i Kryqit të Kuq tregon situatën në qytetin rus

· 2 min lexim

Sasha Vokov, anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq ka përshkruar situatën e tmerrshme në të cilën ndodhen banorët e Mariupolit, qyteti që është bërë shënjestër e ushtrisë ruse me bombardimet që s’kanë të ndalur.

Qyteti i rrethuar nga ushtria ruse ka qenë pa ujë, pa energji elektrike dhe pa internet për ditë të tëra, shkruan Skynews.

Përpjekjet e shumta për të evakuuar civilët dhe për të sjellë furnizime në Mariupol kanë dështuar. Më herët sot, Ukraina tha se një autokolonë humanitare që udhëtonte për në qytet u detyrua të kthehej për shkak të luftimeve.

Volkov thotë se njerëzit kanë “filluar të sulmojnë njëri-tjetrin për ushqim”.

Ai thotë se njerëzit po sëmuren nga i ftohti, pasi temperaturat janë shumë të ulëta.

Ndërkohë nga ana tjetër nënkryetari i bashkisë së portit jugor të rrethuar të Mariupolit thotë se nuk e di se sa njerëz janë vrarë në total në qytet, por shifra më e fundit është 1207.

Këto janë “vetëm trupa që i kemi mbledhur në rrugë”, tha Serhiy Orlov për BBC.

Ai tha se 47 persona ishin varrosur në një varr masiv pasi nuk ishte e mundur të arrihej në vendet e varrimit jashtë qytetit. “Jo të gjithë ata u identifikuan,” shtoi ai.

Orlov tha se nuk ka qenë e mundur të evakuohen njerëzit nga qyteti ose të sillen ndihma. Rreth 100 njerëz që përpiqeshin të iknin me makina private u detyruan të ktheheshin të mërkurën, tha ai, pasi forcat ruse në një pikë kontrolli filluan të qëllojnë “jo drejtpërdrejt në makina, por rreth makinave”.