Skip to content
Aktualitet

Përplasje në Komisionin e Ligjeve, Fino largohet nga mbledhja, të tjerët qeshin

· 2 min lexim

Ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve u diskutua për projektligjin “Për mbrojtjen civile”.

E ndërsa gjatë diskutimeve ka pasur edhe përplasje. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputeti socialist Bashkim Fino kanë patur një përplasje verbale.

Deputeti socialist e braktisi sallën përpara se të mbaronte mbledhja. Fino kundërshtoi miratimin e nenit 41, por kjo gjë nuk u mor parasysh nga anëtarët e komisionit.

Pas miratimit të këtij neni, Fino ka braktisur sallën para përfundimit të mbledhjes.

Fino i është drejtuar edhe avokatit të Shtetit Artur Metanit, lidhur me vendimin e gjykatës së Strasburgut, lidhur me pallatin e familjarëve të Lulzim Bashës në Vlorë.

Fino kërkoi informacione mbi çështjen dhe shpjegime për mënyrën se si u humb nga Avokatura e Shtetit në Strasburg.

Nga ana tjetër Metani i është përgjigjur në mënyrë ironike duke e quajtur edhe “zoti deputet”. Fill pas kësaj shprehjeje, Fino i ka kërkuar kryetarit të Komisionit që të mbajë një qëndrim, por Manja i është përgjigjur:

“Gishtin mos ma drejto mua se nuk jam shoku jot unë”.

Por jo të gjithë e kanë pasur mendjen në mbledhje dhe në ato që do të diskutoheshin. Dy deputetët e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Adnor Shameti qeshnin me njëri-tjetrin, duke treguar edhe mesazhet e tyre nga celulari i njëri-tjetrit.