Skip to content
Kryesore

Përplasi 9 makina duke tentuar t’i ikte policisë në Sauk, 31-vjeçari me armë në makinë arrestohet pas ndjekjes intensive

· 2 min lexim

Është zbardhur dinamika e ngjarjes së rëndë në zonën e Saukut, ku një 31-vjeçar me precedent penal shkaktoi kaos në rrugë pasi tentoi t’i ikte policisë. Sipas të dhënave zyrtare, i riu u përpoq të largohej me shpejtësi nga patrulla që e kishte ndaluar për kontroll, duke përplasur në ikje e sipër 9 automjete dhe një motor.

Policia bën me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, në afërsi të Liqenit të Thatë. Forcat e Posaçme “Shqiponja” kishin marrë informacion operativ se një automjet që lëvizte në drejtim të TEG-ut drejtohej nga një person i armatosur. Pas sinjalizimit për ndalim, shoferi, shtetasi I. K., 31 vjeç, refuzoi urdhrin për kontroll dhe u largua me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar jetën e efektivëve që po i komunikonin.

Gjatë arratisjes, ai përplasi disa mjete në trafik, përfshirë një motor ku ndodheshin një punonjës policie jashtë shërbimit, E. R., 52 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, O. R., 46 vjeçe. Të dy ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Pas një ndjekjeje intensive, policia arriti të bllokojë automjetin dhe ta arrestojë të riun, i cili kishte përdorur disa identitete të ndryshme: I. K., alias I. M. dhe alias I. U. Gjatë kontrollit të mjetit, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë.

Sipas njoftimit zyrtar, 31-vjeçari është me precedentë të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai ndodhet në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në Tiranë, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.