Skip to content
Të Gjitha

Përgjimet, reagon Rama: Mafia dështoi, investoi vetëm një dyqan në Tiranë, nuk ka prova

· 3 min lexim

Kryeministri Edi Rama komenton për herë të parë përgjimet e Ndranghetas, të cilat prej pak ditësh janë publikuara në të gjitha mediat në Shqipëri, ku implikohen disa biznesmenë dhe mafiozë italianë që duan të pastrojnë paratë në Tiranë.

Kryeministri lexoi konkluzionet e Prokurorisë italiane:

“Në këtë rast ka folur qartësisht drejtësia duke dhënë konkluzion, grupi hetimor italian. Po ju lexoj konkluzionin për të thënë pse është turp i pashembullt për të gjithë ju. Ushqeni tymnajën me llafe e muhabete, dëngla njerëzish, që sipas Prokurorisë italiane, është:

Pas më shumë se 1 viti udhëtimesh në Tiranë, dhe bisedimesh me njëri-tjetrin, për investime që do bëhen në Shqipëri, ato dështuan totalisht. I vetmi investim është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës, për të cilin ka pasur konflikte mes ortakëve.

Në viti 2018 investimi në Shqipëri sipas bilanceve të publikuara në QKB, ka shitur mallra në vlerën e 500 mijë lekëve të reja, dhe ka regjistruar 400 mijë lek humbje. Në vitin 2019 siguroi 4 milion lekë të ardhura dhe 1.8 milion lekë humbje”, është konkluzioni i Prokurorisë së Anti-Mafias në Itali, të cilin Rama e citoi për herë të parë.

Rama e quajti turp që ky llum i serviret publikut nga media dhe opozita.

“Marrja e këtij llumi dhe servirja e tij për shqiptarëve netëve të gjata të mejhaneve televizive, dhe netëve të gjata për klikime dhe spektakël, është turp.

Turp që i mishëron më së miri ata që e servirin atë. Janë të njëjtët dhe prirjen për t’ia bërë nënën këtij vendi, e kanë prioritet. Kjo është një marrëzi e pashoqe me asgjë tjetër. Flasin ca italianë, përmendin njerëz, imagjinojnë investime, përfytyrojnë pushtimin e tokës së premtuar”, deklaroi Rama.

Kryeministri këmbënguli se nuk ka asjë provë. “Nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asgjë, dhe këtu ngrihet një tymnajë e neveritshme. Unë realisht nuk kam asgjë për të thënë për këtë. Merrini ato mijëra faqe e pijuani lëngun. Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave.

Nuk e imagjinoj dot një vend normal, ku çdo njeri ka një mikrofon dhe një fytyrë në shërbim të publikut, të marrë kohë nga koha e njerëzve, për t’ju hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle budallallëku dhe poshtërsie.

Cfarë doni që tju them!? As nuk e di kush janë ata njerëz. As nuk kam takuar asnjëherë njerëz të tillë. Është e kotë. Të të them që nuk funksionon kështu me mua, është e kotë. Është një turp që ta mbajnë ata që e kanë”, deklaroi Rama. /Gazetareforma.com/