Ka mbaruar mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore
Rudina Hajdari pak pas daljes së saj nga Kryesia e Kuvendit deklaroi për mediat se beteja e opozitës për ndryshim të këtij sistemi, për lista të hapura, do të vijojë në Kuvend.
“Opozita parlamentare u anashkalua nga marrëveshja. Duhet të ishte trajtuar hap pas hapi çdo lloj pike e asaj marrëveshje. Anashkalimi ka sjellë një tension të lartë dhe jemi në këtë pikë. Ajo që është me rëndësi si opozitë, është fakti se kemi shpallur si luftë kryesore në këtë komision për reformën zgjedhore, ndryshim të sistemit dhe hapjen e listave. Ne kemi votat dhe do e çojmë deri në fund në Kuvend. Është betejë e qytetarëve shqiptarë që të përfaqësohen denjësisht në Kuvend. Partitë politike nuk duhet të kenë frikë nga hapja e listave e ndryshimit të sistemit.”, tha Hajdari.
Edhe Ralf Gjoni u shpreh se opozita parlamentare vazhdon që të mbajë të njëjtin qëndrim dhe se do ta kushtëzojë votën e tij me marrjen parasysh të ndryshimit të sistemit Zgjedhor si dhe hapjen e listave.
“Mazhoranca të bjerë dakord për ndryshimin e sistemit si dhe hapjen e listave, ndryshe nuk do të ketë dakordësi për ta kaluar në parlament…Këta deputetë janë më seriozë se ata që ikën nga parlamenti, e s’kanë pasur kurrë guxim që të merren me Sistemin Zgjedhor. Vjet në këtë kohë askush nuk fliste për sistemin zgjedhor dhe as për listat, sot situata është ndryshe.” deklaroi Ralf Gjoni.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri tha se mbledhja e sotme ishte informuese edhe pse ka ende anëtarë të opozitës parlamentare që insistojnë për ndryshimin sistemit zgjedhor.
“Më shumë ishte seancë informuese për çfarë kemi arritur deri tani. Opozita një pjesë e anëtarëve vazhdojnë të këmbëngulin me faktin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe se nuk e njohin këshillin politik. Ne jemi parti që i qëndrojmë marrëveshjeve dhe nuk bëhemi palë për të shkelur marrëveshjen. Mazhoranca votat e saj i ka të plota por ne do të vazhdojmë të bindim çdo kënd“, tha Gjiknuri.
Gjatë ditës së sotme opozita parlamnetare ka depozituar në Kuvend një draft ku kërkon lista të hapura të kandidatëve, një prag prej 5% të votave, që forcat politike duhet të marrin, para se të përfitojnë mandate parlamentare, si dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Kërkesa është paraqitur si e mbështetur nga tre grupet opozitare në Kuvend, por jo të gjithë deputetët e pakicës kanë qenë dakord, pasi disa prej tyre nuk kanë pranuar ta firmosin shkresën, duke pasur rezerva për pragun prej 5% si dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Refuzimi i diskutimit të sistemit zgjedhor dhe listat e hapura në një fazë të dytë ka revoltuar opozitën parlamentare e cila ‘kërcënon’ se nuk do të votojë asnjë reformë nëse nuk reflektohen dhe këto dy gjëra në reformën zgjedhore.
Kjo ka bërë që ata të zhvillojnë takime të ndara më herët me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, Gramoz Ruçin dhe me kryeministrin Rama por pa arritur asnjë dakordësi mes tyre.
Gjatë paradites së sotme në orën 11:00 u mblodh dhe Këshilli Politik, ku u zbulua dhe zbuluar skemën e financimit të partive politike në fushatën zgjedhore.
Sipas marrëveshjes së arritur buxheti i shtetit do të dyfishojë financimet për partitë, duke sqaruar se tavani për financimet private do të jetë 1 me 3, teksa pjesë e dakordësisë janë edhe reklamat politike në media, të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e kodit të ri zgjedhor.