Skip to content
Kryesore

Përfshihet nga flakët një zonë me ullishte në Fier, terreni pengon ndërhyrjen

· 1 min lexim

Një zjarr masiv ka përfshirë mesditën e sotme kodrat me ullinj në zonën e Zhupanit, Fier, në vendin e njohur si “Takodrom”.

Flakët, të përhapura me shpejtësi nga era e fortë, janë vënë re fillimisht nga banorët, të cilët kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit.

Dy mjete zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje, por për shkak të terrenit të thepisur dhe të paarritshëm, ndërhyrja e drejtpërdrejtë ka qenë e pamundur.

Zjarri ka përpirë një sipërfaqe të madhe me bimësi, përfshirë shkurre dhe ullinj.

Deri tani nuk raportohet për rrezik të menjëhershëm për banesat, pasi ato ndodhen në distancë nga vatra e zjarrit. Autoritetet janë në ndjekje të situatës.