Skip to content
Të Gjitha

Pensionistët mund të mbeten pa shpërblim për vitin e ri, zbulohet arsyeja

· 1 min lexim

Qeveria socialiste filloi të shpërndante bonuse për festat e fundvitit për herë të parë në vitin 2016.

Asokohe Ministria e Financave akordoi 40 milion dollarë për shpërblimin e pensionistëve, familjeve të varfra dhe personave me aftësi ndryshe.

Edhe në dy vitet e ardhshme tradita do të vijonte, ku në 2017-ën u shpërndanë 22 milion dollarë, ndërsa në 2018-ën, shifra shkoi në 32 milion dollarë.

Gjithashtu gjatë këtyre viteve, qeveria akordoi edhe 122 milion dollarë për rritjen e pagave në shtet.

Këtë vit situata paraqitet e zymtë si për administratën dhe për shpërblimet.

Sipas “Top Channel”, pagat nuk do të rriten, kurse shpërblimet e pensionistëve dhe familjeve në nevojë, janë ende në dyshim.

Shkak për këtë është bërë situata financiare, ku të ardhurat në buxhet për tetë muajt e parë të vitit ishin 60 milion dollarë më pak se plani.

Tashmë qeverisë i mbeten dy rrugë për të shpërblyer pensionistët, ose të marrë borxh, ose të rrisë të ardhurat gjatë muajve të mbetur.

Varianti i parë është me rrezik pasi do të rriste borxhin publik, ndërsa rruga e dytë është shumë e vështirë.

Zgjidhja për këtë situatë, do të qartësohet në muajt në vijim.