Skip to content
Aktualitet

Patentat shqiptare njihen në Gjermani, reagon Vjosa Osmani: E kisha biseduar

· 2 min lexim

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mirëpriti lajmin e njohjes së patentatëve nga Shqipëria dhe Kosovë në Gjermani, ku u miratua me 69 vota në Bundesrat (këshillin legjislativ të 16 landeve në Gjermani). Në një postim në Facebook, kryetarja e shtetit të Kosovës tregon çështjen e konvertimit të patentave të shoferëve nga Kosova e ka paraqitur dhe biseduar në 22 prill 2021 gjatë vizitës së saj zyrtare në Berlin. Ajo shton se e ka trajtuar këtë problem me ish-presidentin Frank Walter-Steinmeier dhe ish-ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mass.

Në fund, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen ndaj Gjermanisë për vendimin e marrë duke e konsideruar si një avancim në marrëdhëniet dypalëshe. Nga ana tjetër, ajo premtoi se synon që kjo gjë të arrihet dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

MESAZHI I VJOSA OSMANIT:

Një lajm shumë i mirë për mërgatën tonë në Gjermani!
Sot në Bundesratin gjerman u dha drita e gjelbër për njohjen e patentë shoferëve në Kosovë.
Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, në takimet me Presidentin Steinmeier, si dhe në takimet me ish- ministrin e punëve të jashtme, z. Maas fillimisht në Prishtinë me 22 prill të vitit të kaluar, e pastaj dhe gjatë qëndrimit tim në Berlin, kjo ishte një prej diskutimeve kryesore, e cila reflektonte edhe një prej brengave kryesore të mërgatës sonë atje.
Jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëpunimin e institucioneve gjermane në trajtimin e kësaj kërkese të kahmotshme.

Ky hap sot konfirmon besueshmërinë e institucioneve gjermane në procedurat dhe punën e institucioneve tona, e rrjedhimisht kontribuon në avancimin tutje të raporteve tona tashmë të shkëlqyeshme bilaterale. Do të vazhdojmë punën në bashkëpunim me institucionet tjera në vend për tu siguruar që ky shembull të ndiqet edhe nga shtetet e tjera të BE-së./REL