Skip to content
Aktualitet

Parlamentaret 2021, Meta dekreton 25 prillin si datën e zgjedhjeve

· 2 min lexim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pas konsultimeve me të gjitha partitë politike në vend, ka dekretuar ditën e sotme datën e zgjedhjeve Parlamentare të 2021-shit.

Në vendimin e tij me dekret, presidenti ka vendosur për datën 25 prill, datën ku shqiptarët do të duhet t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e qeverisë së re që do drejtojë vendin në 4-vjeçarin e ardhshëm.

Kreu i Shtetit e mori këtë vendim pas konsultimeve me krerët e partive politike të zhvilluara më 4 shtator në Presidencë.

Opozita e Basahkuar propozoi data 18 prill si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë maxhoraca ishte e gatshme që të shkonte në zgjedhje në çdo datë që do të përcaktonte Presidenti i Republikës, me përjashtim të 2 majit e cila përkonte me festën e Pashkëve ortodokse. Me sa duket, Presidenti ka vendosur 25 prillin për t’i kënaqur të dyja palët.

DEKRET

PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN

Në mbështetje të nenit 65, pikat 1 dhe 2, 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 8, 9, pikat 1 dhe 4 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe pas konsultimit me partitë politike mbi caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë,

Dekretoj:

Neni 1

Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 prill 2021.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekreti 11700

Tiranë, më 06.09.2020

PRESIDENTI I REPUBLIKES

ILIR META