“Padrejtësi e papranueshme”/ Kurti pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: Aktgjykimi duhet të ndryshojë në apel, nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me 81 vite burg në total.
Në një reagim të gjatë, Kurti e cilësoi vendimin “padrejtësi të papranueshme”, ndërsa theksoi se aktgjykimi i shkallës së parë duhet të ndryshohet në apel. Ai tha gjithashtu se fakti që vendimi shqiptohet formalisht në emër të popullit të Kosovës nuk duhet, sipas tij, të identifikohet me vullnetin e qytetarëve.
“Të nderuar qytetarë, Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.
Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, shkruan Kurti.
Kryeministri u ndal edhe te pjesa e aktgjykimit që lidhet me akuzat për krime kundër njerëzimit, duke theksuar se trupi gjykues rrëzoi pretendimin se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile. Sipas Kurtit, kjo tregon se procesi nuk ishte një gjykim mbi legjitimitetin e luftës së UÇK-së.
Ai kundërshtoi gjithashtu përfundimet dënuese për krimet e luftës, duke i cilësuar ato të padrejta dhe duke theksuar se aktgjykimi nuk është përfundimtar.
Kurti ngriti kritika edhe ndaj vetë mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara. Sipas tij, përqendrimi i ndjekjes penale te pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa krimet e kryera nga aparati shtetëror serb mbeten jashtë juridiksionit të këtij mekanizmi, krijon perceptimin e një drejtësie selektive.
Në reagim, ai riktheu edhe kontekstin historik të luftës në Kosovë, duke argumentuar se UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes së shqiptarëve dhe se një aktgjykim ndaj individëve nuk mund të shndërrohet në një gjykim të luftës çlirimtare.
Kurti njoftoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin gjatë procedurës së apelimit.
“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ju faleminderit”, përfundoi Kurti.
Aktgjykimi i shpallur më 16 shtator është i shkallës së parë dhe mund t’i nënshtrohet procedurës së apelimit. Reagime të forta kundër vendimit janë regjistruar sot edhe nga përfaqësues politikë në Shqipëri.