Skip to content
Të Gjitha

OSBE njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe bën thirrje për dialog

· 2 min lexim

Misioni i OSBE-ODHIR ka publikuar raportin e plotë për zgjedhjet e 30-qershorit.

OSBE ka njohur zyrtarisht zgjedhjet, ndërsa ka bërë edhe një përmbledhje të situatës parazgjedhore.

Në raport evidentohet dhuna e ushtruar ndaj institucioneve gjatë protestave të opozitës, si dhe bllokimi i qendrave të votimeve në disa bashki.

Në tërësi OSBE e ka vlerësuar me nota pozitive procesin, edhe pse në 31 bashki, votuesit nuk patën mundësi zgjedhjeje.

Gjithashtu raporti thekson krizën institucionale, e cila nisi që me bojkotin masiv të opozitës dhe deri te përplasjet e qeverisë me presidentin, Ilir Meta.

Sipas OSBE, thirrjet e opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, njëanshmëria politike e autoriteteve lokale dhe përbërja e paekuilibruar e administratës zgjedhore, ndikuan të gjitha negativisht mbi besimin e publikut ndaj procesit zgjedhor.

Hapi i radhës që misioni i rekomandon palëve politike është ulja në dialog dhe miratimi i një reforme zgjedhore, për të përgatitur kuadrin ligjor për zgjedhjet e ardhshme.

OSBE ndër të tjera, ka ngritur shqetësime për financimet e partive dhe paanshmërinë e Kolegjit Zgjedhor, gjyqtarët e të cilit ishin subjekte të vettingut.

Përsa i përket rasteve të kërcënimit të votuesve, apo shkeljes së fshehtësisë së votës, OSBE deklaron se ka qenë dëshmitar, mirëpo deri më tani nuk është regjistruar asnjë procedim penal.