Skip to content
Të Gjitha

Opozita e bashkuar dorëzon në KQZ refuzimin e kandidatëve për deputetë

· 2 min lexim

Sot kanë dorëzuar në KQZ formularët për të refuzuar marrjen e mandatit të deputetit 103 kandidatë nga listat e Partisë Demokratike dhe 75 nga LSI.

Kandidatët i janë drejtuar KQZ, pas fjalës së tyre tek protesta para Parlamentit, ku kanë refuzuar marrjen e mandatin e deputetit pas vakancave të krijuara si pasojë e djegies së mandatit nga opozita.

Gerti Bogdani në listën e Tiranës teksa refuzoi publikisht marrjen e mandatit theksoi se Edi Rama mblodhi qelbësirat dhe fitoi pushtetin.

“Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet e lira, sepse në zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka kriminelë dhe banditë”-tha ai.

Mirela Tabaku tha se Shqipëria renditet e para për nga vdekshmëria foshnjore, largimin e mjekëve, e fundit ndaj kujdesit shëndetësor. “Unë nuk mund të jem kurrë pjesë e këtij Parlamenti. Rama ik!”

Bernadeta Syku nga Shkodra nuk pranoi të marrë mandatin e deputetes. Në protestë ajo theksoi se si familje e persekutuar nga regjimi komunist, kërkon një Parlament të pastër nga krimi.

Matilda Qurku nga qarku i Sarandës refuzoi kategorikisht të bëhet pjesë e një parlamenti të kriminalizuar. “Ai mandat nuk më përfaqëson as mua as qytetarët e jugut”- tha ai.

Martin Biba kandidat i listës së PD për qarkun e Lezhës nuk pranoi thirrjen e KQZ për marrjen e mandatit.

“Ky është mandat i turpit, të cilën e pranuan disa të tjerë. Ky përbindësh nuk bëri asgjë për sportin dhe aviacionin. Aviacionin e ktheu në fushë droge”- tha ai.