Tetë burra janë vënë në pranga në Mbretërinë e Bashkuar gjatë dy hetimeve të ndara për çështje terrorizmi, mes dyshimeve për përgatitjen e një sulmi ndaj një lokali në Angli.
Pesë prej tyre u arrestuan të shtunën gjatë një operacioni të koordinuar nga Policia Metropolitane, me mbështetjen e forcave të Manchesterit dhe Wiltshire. Arrestimet ishin pjesë e një hetimi të planifikuar në kuadër të masave për parandalimin e një akti të mundshëm terrorist.
Katër nga të ndaluarit janë shtetas iranianë, përkatësisht dy burra 29-vjeç, një 40-vjeçar dhe një tjetër 46-vjeç. Identiteti dhe kombësia e personit të pestë nuk është konfirmuar ende, pasi hetimet vazhdojnë.
Në një operacion të veçantë, po të shtunën, tre burra të tjerë gjithashtu me origjinë iraniane u arrestuan në Londër, në një hetim të ndarë që, sipas autoriteteve, nuk lidhet me rastin e parë.
Policia Metropolitane njoftoi se në rastin e parë, ekzistojnë dyshime për një komplot të mundshëm për të sulmuar një lokal të caktuar në Angli. Emri i lokalit nuk është bërë publik për arsye sigurie, por forcat e rendit janë në kontakt të ngushtë me drejtuesit e tij për të garantuar sigurinë.
“Jemi ende në fazat e hershme të hetimit dhe po shqyrtojmë të gjitha pistat për të kuptuar motivin dhe për të siguruar që nuk ka rrezik të mëtejshëm për qytetarët,” deklaroi Komandanti Dominic Murphy nga Komanda Kundër Terrorizmit.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, përgëzoi shërbimet e sigurisë për ndërhyrjen e shpejtë dhe theksoi rëndësinë e vigjilencës së vazhdueshme. “Këto ngjarje serioze nënvizojnë nevojën për një përgjigje të qëndrueshme dhe të përshtatshme ndaj kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare,” u shpreh ajo.
Katër nga të arrestuarit e operacionit të parë ndodhen në paraburgim nën akuzën e përgatitjes së veprave terroriste, ndërsa një është ndaluar në bazë të Aktit të Policisë dhe Provave Penale. Ndërkohë, tre të arrestuarit e operacionit të dytë në Londër u ndaluan nën bazën e Aktit të Sigurisë Kombëtare.