Protesta para Kryeministrisë do të vijojë edhe gjatë natës. Shqiptarët e ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan tubimit të kësaj të shtune në Tiranë, kanë vendosur të qëndrojnë në shesh dhe ta gdhijnë aty, përballë godinës së qeverisë.
“Nuk ikim nga sheshi”, është mesazhi i protestuesve, të cilët kanë ftuar edhe qytetarë të tjerë t’u bashkohen gjatë natës në vijim të protestës.
“Diaspora do ta gdhijë në shesh”, thonë protestuesit, ndërsa pas përfundimit të fjalimeve është vendosur që protesta të vijojë me një marshim rreth godinës së Kryeministrisë dhe Piramidës së Tiranës. Ky marshim është konceptuar si simbolikë e rrethimit të institucionit.
Kjo e shtunë shënon ditën e 21-të të protestës së aktivistëve dhe qytetarëve kundër qeverisë. Pjesëmarrja e diasporës ka rritur ndjeshëm numrin e qytetarëve të mbledhur para Kryeministrisë, duke i dhënë protestës një tjetër peshë dhe vazhdimësi.







