Gazetarja Klodiana Lala ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një valë presioni dhe shantazhi ndaj studentëve që po marrin pjesë në protestat qytetare në Tiranë.
E ftuar në News24, Lala e përshkroi tubimin si një nga protestat më qytetare dhe më të bukura që ka parë, por paralajmëroi se në prapaskenë kanë nisur përpjekjet për të frikësuar të rinjtë dhe për t’i penguar ata të dalin në shesh.
“Ka qenë një ndër protestat më të bukura që kam parë dhe uroj që të mos demoralizohen qytetarët, sepse që sot kam pasur informacion se studentë të caktuar janë kërcënuar të mos dalin në protestë, duke i kërcënuar me punën e prindërve. Një prej tyre më ndaloi sot dhe më kërkoi ta thosha hapur,” deklaroi Lala.
Sipas gazetares, protesta dallon qartë nga tubimet e organizuara nga partitë politike, pasi në të kanë marrë pjesë familjarë, prindër dhe shumë të rinj.
“Kjo është protestë qytetare. Një nënë me fëmijë në krah thoshte: ‘Kam dalë këtu për të ardhmen e fëmijës sim’. Prindërit protestonin për një vend më dinjitoz për fëmijët e tyre. Kam parë të rinj vitalë që nuk i kam parë në protestat e partive politike. Protestuesit kanë treguar qytetari,” u shpreh ajo.
Lala kritikoi gjithashtu masat e marra nga Policia e Shtetit gjatë protestës, duke i konsideruar të panevojshme pengesat e vendosura për protestuesit dhe përdorimin e mjeteve irrituese në një tubim ku ishin të pranishëm edhe fëmijë.
“Gardhi metalik mund të ishte vendosur sa kalon kryeministrinë, nuk kishte nevojë të vendosej te ura e Lanës për të penguar protestuesit. Ata nuk patën dhunë, pati vetëm një konfrontim normal për të tejkaluar gardhin. Nuk duhet të përdorej ujë me piper nga policia drejt protestuesve, sepse aty kishte edhe fëmijë. Do të doja të kisha parë një polici që të përshëndeste protestuesit,” deklaroi gazetarja.







