Raporti i Tranzicionit 2025-26 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim me titull “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, që prezantohet sot në ambientet e Banka e Shqipërisë, vë theksin te emigracioni si një nga sfidat më të mëdha strukturore për Shqipërinë. Sipas dokumentit, largimi i popullsisë ka arritur nivele shqetësuese dhe nuk shfaq shenja ndaljeje.
Raporti evidenton se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet që kanë përjetuar emigracionin më të lartë në hapësirën post-komuniste që nga viti 1990. Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së vitit 1990 në periudhën 1990-2023 vetëm nga emigracioni neto, duke u renditur e dyta në Europë dhe në grupin e ekonomive të BERZH për nga niveli i humbjes demografike.
Nga ana tjetër, shtesa natyrore ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të kësaj periudhe dhe ka kompensuar rreth 27 për qind të popullsisë së vitit 1990. Megjithatë, ky kompensim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të neutralizuar efektin e flukseve të vazhdueshme të largimit.
Edhe Kosova ka shënuar humbje të konsiderueshme demografike, me rreth 50 për qind të popullsisë së vitit 1990 të humbur për të njëjtën periudhë, niveli më i lartë në Europë. Në rastin e Kosovës, shtesa natyrore ka qenë më e fortë se në Shqipëri, duke arritur gati 40 për qind, por sërish nuk ka mjaftuar për të përmbysur prirjen.
Sipas raportit, boshllëku demografik po përkthehet drejtpërdrejt në frenim ekonomik për Shqipërinë. Në një nga grafikat kryesore, BERZH mat për herë të parë ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë. Për Shqipërinë, kontributi i popullsisë ka qenë negativ gjatë viteve 2000-2023, me rreth 0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.
Për periudhën 2024-2050, parashikohet që ndikimi negativ të thellohet në rreth 0.3 deri 0.4 pikë përqindje në vit, duke e renditur Shqipërinë ndër ekonomitë më të ekspozuara në të gjithë rajonin e BERZH. Edhe në horizontin 2050-2100, sinjali mbetet negativ, çka tregon se plakja e popullsisë dhe tkurrja e forcës së punës do të vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonominë në dekadat e ardhshme.
Raporti nënvizon se mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm. Në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, forcimit të kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv pritet të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën tre dekada.
Në këtë kontekst, Përfaqësuesja Rezidente e BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova, ka deklaruar në një intervistë për Monitor në fillim të janarit se raporti i fundit i tranzicionit tregon se pothuajse një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë kanë emigruar. Sipas saj, relativisht pak persona me arsim universitar kanë ardhur në Shqipëri nga vende të tjera, duke krijuar një bilanc negativ të theksuar të talenteve.
Kjo prirje vërehet në shumë ekonomi të Europës në zhvillim, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, vetëm pak vende, si Bosnja dhe Hercegovina, kanë norma edhe më të larta emigrimi të personave me arsim universitar. Përvoja e vendeve të tjera, nga Polonia deri në Meksikë, tregon se me përmirësimin e kushteve ekonomike dhe rritjen e të ardhurave, bilanci i migracionit neto mund të ndryshojë gradualisht dhe individët e arsimuar mund të kthehen në numër më të madh.
Sfida për politikëbërësit, sipas raportit, është krijimi i kushteve të duhura për kthimin e personave të kualifikuar me ide, aftësi dhe kapital të fituar jashtë vendit, në mënyrë që ata të jenë sa më produktivë. Masat e sugjeruara përfshijnë regjistrim të përshpejtuar të bizneseve për emigrantët e kthyer, lehtësime tatimore dhe skema bashkë-investimi, ku shteti ose institucionet mbështetëse përputhin kapitalin privat me kontribute shtesë.
Po aq të rëndësishme konsiderohen edhe masat që synojnë forcimin e qeverisjes dhe përmirësimin e përgjithshëm të klimës së biznesit. Sipas përllogaritjeve të BERZH-it, rreth 23 për qind e të arsimuarve shqiptarë kishin emigruar në vitet 2023-2024, ndërsa vetëm 2 deri në 3 për qind e tyre janë rikthyer.
Krahasuar me 38 vende të rajonit të BERZH, Shqipëria renditet ndër vendet me nivel shumë të lartë të emigracionit të popullsisë së arsimuar dhe me kthime shumë të ulëta. Më keq se Shqipëria renditen vetëm Bosnja, Autoriteti Palestinez dhe në një nivel të ngjashëm Taxhikistani.
Të dhënat tregojnë se vendi po humbet më shumë profesionistë sesa arrin të tërheqë, duke u pozicionuar në grupin e ekonomive me emigracion të lartë të trurit. Ndërkohë, niveli i kthimit të profesionistëve mbetet minimal, shumë më i ulët edhe krahasuar me vendet e tjera të vogla të Europës Juglindore.
Studime të tjera vendase tregojnë se profesionistët shqiptarë largohen kryesisht për paga më të larta, mundësi më të mira karriere dhe kushte më të avancuara të kërkimit dhe inovacionit në vendet e Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbetet pak tërheqëse për profesionistët e huaj për shkak të tregut të vogël, pagave konkurruese të ulëta dhe një klime institucionale e ekonomike që vlerësohet ende si e brishtë.
Sipas raportit, zhvillimet demografike dhe ikja e trurit po krijojnë një rreth vicioz për ekonominë shqiptare. Sa më shumë profesionistë largohen, aq më i vështirë bëhet modernizimi i ekonomisë dhe rritja e produktivitetit, duke nxitur më tej emigracionin dhe duke kufizuar ardhjen e talenteve nga jashtë.







