Skip to content
Të Gjitha

Nis funksionimin karantina te Kavalishenca në Durrës, ja sa pacientë po trajtohen aty

· 2 min lexim

Ditën e sotme u konfirmuan edhe 6 raste të tjera pozitive në Shqipëri me COVID-19, duke e çuar në 70 numrin e të prekurve nga COVID-19.

Përditësimi i të dhënave u bë nga zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Kjo e fundit iu përgjigj më pas pyetjeve të gazetarëve.

Rakacolli bëri me dije se ka filluar funksionimi i karantinës shtetërore te Kavalishenca në Durrës, ku tashmë ndodhen dy pacientë.

Në lidhje me tre shtetasit italinë, të konfirmuar pozitiv ditën e djeshme, zv.ministrja tha se ka nisur një hetim epidemiologjik, për të zbuluar kontaktet e tyre,

Për kontaktin e parë të pacientit zero, për të cilin u raportua në media se është shëruar plotësisht, ajo tha se përgjigja e analizave të dyta ende nuk ka dalë.

Përsa i përket familjarëve të personave të prekur me COVID-19, Rakacolli tha, se po ndiqen nga mjekët e familjes dhe nga personeli i njësisë vendore të kujdesit shëndetësor.

Ndërkohë për medikamentet për kurimin e të prekurve, zv.ministra tha se janë të njëjtat që po përdoren edhe në vendet e tjera të prekura.

Deri më tani në vendin tonë janë shënuar edhe dy viktima nga koronavirusi, një 73-vjeçare në Durrës dhe një 66-vjeçar nga Lushnja, i cili ndërroi jetë te infektivi.

Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lëvizja e këmbësorëve është e kufizuar në fashat orare 06:00-10:00 paradite dhe 16:00-18:00 pasdite.

Ndërsa makinat lejohen të qarkullojnë brenda orareve 06:00-08:00 dhe 16:00-17:00, ndërsa duhet të jenë të pajisura me autorizim nga policia.

Për qytetarët e kthyer nga Italia ka nisur aplikimi i gjobave prej 700 mijë lekësh të reja, nëse nuk respektojnë rregullat e vetëkarantimit.