Skip to content
Të Gjitha

Ngritja e KLGJ dhe KLP/ Vishaj: Do futen në filtër gjithë kryeministrat dhe presidentët që kemi pasur

· 2 min lexim

Një nga lajmet më të rëndësishëm të ditëve të fundit është padyshim edhe krijimi i KLGJ-së dhe KLP-së si dy nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë në Shqipëri. Pikërisht për rëndësinë që kanë këto dy institucione, edhe emisioni “Repolitix” i ka kushtuar mbrëmjen e sotme.

I ftuar ishte edhe anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Reformës në Drejtësi, Sajmir Vishaj.
‘Brenda dy muajve nga ngritja e KLP dhe KLGJ duhet të ngrihet SPAK dhe BKH, që do të thotë se brenda 10 shkurtit duhet të krijohen. SPAK-u ka pavarësi totale nga prokuroria e përgjithshme” tha ai.

Ngritja e këtyre institucioneve ka për të ndihmuar gjithashtu edhe në filtrimin e gjithë zyrtarëve të lartë të shtetit si kryeministrat dhe presidentët që kanë qenë në krye të vendit duke filluar që nga viti i parë i pluralizmit politik, 1991.

“Të gjithë ish-kryeministrat, ish-presidentët dhe të gjithë zyrtarët e lartë që kanë drejtuar shtetin shqiptar do të kalojnë në filtër nga drejtësia e re. Hetimi fillon që viti nga 1991” përfundoi ai. Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor u ngritën pak ditë më parë pas një kalvari të gjatë.

Në panelin e të ftuarve ishin gjithashtu edhe Gerti Shella drejtuesi i INFOCIP, gazetari i Report Tv Arsen Rusta dhe Altin Hazizaj, ish-kandidat për KLGJ-në.