Blerja e një apartamenti në Tiranë është kthyer në një sfidë të pakapërcyeshme për qytetarët që mbështeten vetëm në të ardhurat e punës. Çmimet e banesave janë rritur me ritme shumë më të shpejta se pagat, duke zgjeruar hendekun mes mundësive reale të qytetarëve dhe tregut të pasurive të paluajtshme.
Të dhënat e përllogaritura nga “Monitor” tregojnë se për një apartament standard 70 m² në kryeqytet, në vitin 2014 duheshin mesatarisht 13.1 vite pune, ndërsa sot duhen gati dy dekada. Në atë kohë, çmimi mesatar i një apartamenti ishte rreth 820 euro për metër katror dhe një banesë 70 m² kushtonte 56 mijë euro. Me një pagë mesatare reale prej 51 mijë lekësh dhe kursin e këmbimit prej gati 140 lekësh për euro, kostoja përkthehej në rreth 8 milionë lekë.
Pas dhjetë vitesh, në 2024, çmimi i një apartamenti ka arritur 2100 euro për metër katror, ose 147 mijë euro për një sipërfaqe standarde. E shndërruar në lekë, kjo shifër arrin 14.8 milionë lekë, gati dyfish më shumë se një dekadë më parë. Paga mesatare nominale ka arritur në 77.5 mijë lekë, por e indeksuar me inflacionin, fuqia reale blerëse bie në 66.1 mijë lekë. Kjo bën që për të blerë një banesë sot të duhen 18.6 paga vjetore reale bruto, ose rreth 19 vite pune.
Në praktikë, kjo situatë po i shtyn të rinjtë dhe familjet drejt qirasë afatgjatë ose emigracionit, pasi sigurimi i një banese përmes punës është gjithnjë e më i paarritshëm. Përveç rritjes së kostove të ndërtimit, taksave bashkiake dhe përmirësimit të cilësisë, në rritjen e çmimeve kanë ndikuar edhe faktorë të tillë si ekonomia informale, pastrimi i parave dhe kërkesa e lartë e nxitur nga korrupsioni. Gjithashtu, Shqipëria është shndërruar në një destinacion turistik, çka ka rritur kërkesën e huaj, kryesisht në zonat bregdetare.
Krahasimi me qytete të tjera europiane e bën edhe më të qartë përmasën e problemit. Sipas raportit të “Property Index” nga Deloitte, qyteti më pak i përballueshëm në Europë është Amsterdami me 15.4 paga vjetore për një apartament 70 m², ndjekur nga Athina me 15.3 dhe Praga me 15. Në të kundërt, qytetet më të përballueshme si Odense në Danimarkë dhe Torino në Itali kërkojnë vetëm 4.9 paga vjetore.
Nëse ky tregues aplikohet për Tiranën, rezulton se Shqipëria është ndër vendet më të shtrenjta në Europë në raport me fuqinë blerëse. Të dhënat e Numbeo për mesin e vitit 2025 tregojnë se një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite pune për të blerë një apartament, më shumë se kudo tjetër në kontinent.
Ky realitet e vendos Shqipërinë në krye të listës për krizën e strehimit në Europë, ndërkohë që në vend mungojnë politikat mbështetëse si subvencionet, kreditë e buta apo programet e ofertës së banesave sociale. Në vend të kësaj, diskursi publik shpesh përqendrohet vetëm tek rritja e vlerës së pronës dhe parashikimet se çmimet e apartamenteve do të dyfishohen pas anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Rezultati është një treg banesash gjithnjë e më pak i arritshëm për qytetarët, duke forcuar pabarazitë sociale dhe duke ushqyer valët e emigracionit. Shqipëria mbetet vendi ku një shtëpi e thjeshtë kërkon më shumë vite punë se kudo tjetër në Europë.