Në Mal të Zi pritet t’i jepet fund krizës politike të krijuar prej disa muajsh e cila çoi në rrëzimin e qeverisë në shkurt. Shqiptaro-malazezi i cili ka marrë mandatin për formimin e qeverisë së re tha se ajo do të votohet javën e ardhshme pas Pashkës.
Qeveria e re e Malit të Zi është gati për t’u formuar, ka bërë me dije të mërkurën zv/kryeministri në detyrë Dritan Abazoviç.
Ndërsa thotë se ka vënë në dijeni Kuvendin për të mbajtur seancën për votimin e qeverisë së re, e cila me gjasë do të mbahet pas Pashkës Ortodokse të së dielës.
Shqiptaro-malazezi pretendon se qeverinë e re do ta përkrahin 46 deputetë, 3 më pak nga sa ishte thënë më herët.
Abazoviç: 46 deputetë do ta votojnë qeverinë e re, por dera mbetet hapur për çdo kënd tjetër. Prioritetet e qeverisë së re do të jenë forcimi i shtetit të së drejtës në përputhje me perspektivën evropiane, si edhe zhvillimi ekonomik. Po ashtu ndër prioritetet politike janë vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Qeveria e re e Abazoviçit do të përbehet nga 20 ministra, nga 12 që janë aktualisht, ai shtoi se 2 prej tyre do të jetë pa portofol.
I pyetur për deklaratën e presidentit Millo Gjukanoviç, i cili tha se me qeverinë e re të pakicave edhe partia e tij DPS do të rikthehet në poste të rëndësishme politike, Abazoviç tha se nuk shihte ndonjë problem lidhur me këtë.
Abazoviç: Nuk shoh problem që dikush nga DPS të marrë një pozicion në administratë, qoftë edhe nga Demokratët apo Fronti Demokratik. DPS ka treguar një shkallë më të lartë tolerance në krahasim me subjektet e tjera politike, sepse ata e dinin që në fillim se nuk mund të merrnin pjesë në Qeverinë e 43-të.
Në qeverinë e re të pakicave të cilën do ta votojë partia më e madhe në vend, ajo e presidentit Gjukanoviç Partia Demokratike e Socialistëve do të marrin pjesë Lëvizja Qytetare URA e Abazoviç, Partia Popullore Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Unioni i Qytetarëve.