Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi skema e re e sigurimit të detyrueshëm për automjetet, e njohur si sistemi bonus malus, i cili parashikon çmime të diferencuara në bazë të historikut të drejtuesit të mjetit.
Sipas kësaj skeme, shoferët që kanë shkaktuar dëme apo janë përfshirë në aksidente do të paguajnë siguracione më të shtrenjta, ndërsa drejtuesit e rregullt dhe pa shkelje do të përfitojnë ulje në çmimin e policës. Rregullorja është miratuar gjatë vitit 2025, por nuk u zbatua, pasi viti që lamë pas u konsiderua si vit referencë ose viti zero për mbledhjen e të dhënave.
Rregullorja e re parashikon aplikimin e shtatë faktorëve të riskut që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e siguracionit. Këta faktorë përfshijnë fuqinë motorike të automjetit, moshën e shoferit, përvojën në drejtimin e mjetit, mënyrën e përdorimit të automjetit, qarkun ku është i regjistruar mjeti, vjetërsinë e makinës dhe historikun e aksidenteve.
Zbatimi i këtij sistemi është kundërshtuar edhe në komisionet parlamentare, ku është kërkuar ndërhyrje dhe rishikim i disa elementëve të rregullores, veçanërisht atyre që lidhen me diferencimin gjeografik.
Në praktikë, drejtuesit e automjeteve të regjistruara në qarqe si Berati, Dibra apo Kukësi përfitojnë lehtësi dhe bonus, ndërsa ata që kanë mjetet e regjistruara në Tiranë dhe disa qarqe të tjera penalizohen për shkak të incidencës më të lartë të aksidenteve në këto zona.







