Skip to content
Të Gjitha

Ndotje mjedisore në Laç/ Godinat e dëmtuara nga tërmeti u shembën në qershor, malet me inerte nuk pastrohen

· 1 min lexim

Një pjesë e mirë e qytetit të Laçit i ngjan një zone lufte ose një shesh-xhirimi filmi postapokaliptik.

Në lagjen nr. 4 të qytetit, aty ku pasojat e tërmetit ishin shumë të mëdha, dhjetëra pallate disa muaj më parë u shembën dhe inertet sot vijojnë të qëndrojnë të pa lëvizura.

Një pjesë e pallateve në lagjen numër 4 në qytet që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit u shembën në muajin qershor.

Sot në vend që në këtë zonë të kishte nisur ndërtimi i banesave të reja mbizotërojnë malet me inerte dhe pallatet që janë bërë gati për t’u shembur.

Për banorët që më parë jetonin në këtë lagje, situatën e krijuar e quajnë të papranueshme.

Ata shprehen për mediat se, janë të rrezikuar nga grumbujt e inerteve që në fakt i japin Laçit pamjen sikur sapo ka dalë nga lufta.

Në Laç, tërmeti shkaktoi dëme të shumta por deri më tani ka nisur procesi i rindërtimit të 500 banesave nga qeveria turke.

/GazetaReforma.com/