Dëshmia e Nuredin Dumanit në seancën e së enjtes për çështjen “Plumbi i Artë” u zhvillua nën tensione dhe përplasje të hapura mes avokatëve, prokurorit dhe vetë bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Një nga momentet më të forta ndodhi kur avokati Ilirian Duzeni, përfaqësues ligjor i Besian Xhixhës, braktisi sallën e gjyqit pas një deklarate të Dumanit drejtuar atij, duke i thënë: “Je në ofertë”.
Sipas Duzenit, kjo shprehje ishte një kërcënim i qartë dhe përbënte presion të drejtpërdrejtë ndaj tij si avokat.
“U ndjeva i kërcënuar. Kjo nuk është më thjesht një ironi apo provokim, por një mesazh që përpiqet të frikësojë përfaqësuesit ligjorë. Nuk është çështje humori kur ndodheni përballë një personi që flet për porosi vrasjesh. Largimi im ishte reagim i nevojshëm”, deklaroi Duzeni.
Ai shtoi se pas konsultës me Dhomën e Avokatisë, u vendos që të tërhiqej nga seanca si formë proteste.
Debate të forta pati gjithashtu edhe mes avokates Elda Zotaj dhe prokurorit të SPAK-ut, Behar Dibra. Avokatja Zotaj kërkoi nisjen e procedimeve për kanosje ndaj Dumanit, duke deklaruar se kishte kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria veprime ligjore për këtë rast.
Ajo tha se një prokuror i kishte thënë: “Je në besën time, nuk do ta prek Nuredinin”, çka e konsideroi si një shkelje të rëndë të funksionit të drejtësisë.
Në kundërpërgjigje, prokurori Dibra u shpreh se nuk kishte pasur synim të shkaktonte tension dhe hodhi poshtë akuzat e avokates si shpifje.
Ai theksoi se Dumani është i pandehur në këtë proces dhe jo dëshmitar, duke shtuar se “masa duhet të merren ndaj atyre që provokojnë situatën, jo ndaj tij”.
Përplasjet kulmuan me largimin e disa avokatëve nga salla dhe me shtyrjen e seancës për më 22 prill. Avokatët paralajmëruan se do të koordinojnë një qëndrim institucional në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Gjatë dëshmisë së tij, Dumani dha detaje të reja lidhur me bashkëpunëtorët dhe porositësit e vrasjeve. Ai tha se vendndodhja e tij në Fier, në momentin kur u arrestua pas një atentati të dështuar, ishte zbuluar nga Suel Cela.
Sipas tij, Cela i kishte thënë: “Do të sjell doktorin”, duke iu referuar Henrik Hoxhajt, të cilin e kishte marrë më pas me vete. Dumani shtoi se komunikimi me Suelin ishte bërë teksa ndodhej në ambientet e policisë dhe të prokurorisë.
Megaprocesi “Plumbi i Artë”, ku Nuredin Dumani është një nga dëshmitarët kyç, pritet të vijojë mes zhvillimeve të forta dhe dinamikave që po tensionojnë gjithnjë e më shumë sallën e gjyqit.