Skip to content
Të Gjitha

Ndërron jetë 61-vjeçari te Infektivi, shkon në 5 numri i viktimave nga koronavirusi

· 2 min lexim

Një tjetër person ka ndërruar jetë nga koronavirusi duke e çuar numrin e viktimave në 5.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet fjalë për një 61-vjeçar nga Tirana, i cili ishte vendosur në frymëmarrje të drejtuar nga aparatura.

Në njoftim bëhet me dije se 61-vjeçari vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Gjatë mëngjesit të sotëm ndërroi jetë një pacient 61-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive. 61-vjeçari nga Tirana është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. 61-vjeçari kishte sëmundje bashkëshoqëruese. 61-vjeçari është viktima e pestë i prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes.

Kujtojmë këtu se gjatë orëve të fundit janë shënuar 3 viktima.

Përveç 61-vjeçarit kanë ndëruar jetë një 71-vjeçar nga Kuçova dhe një 43-vjeçar nga Kavaja.

71-vjeçari vunate nga kanceri në mushkri, ndërsa 43-vjeçari nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese përveç obezitetit.

Të dy ishin vendosur në frymëmarrje të drejtuar nga aparatura dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk ia dolën të qëndronin në jetë.

Bilanci i COVID-19 në vendin tonë është 89 të prekur, nga të cilët 5 viktima dhe një i shëruar.

Në spitalin Infektiv janë shtruar 43 persona, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje më të rëndë.

Pjesa tjetër e të prekurve ndodhen në shtëpi dhe gjendja shëndetësore e tyre është e stabizilizuar.

Pas Shqipërisë së mesme, koronavirusi është përhapur edhe në jug, me 3 raste në Korçë dhe viktimën në Kuçove.

Ministria e Shëndetësisë ndërkohë nuk e ka bërë ende përditësimin e të dhënave.

Autoritetet po vijojnë me thirrjet për respektimin e higjienës, distancimit social dhe kufizimin e daljeve nga shtëpitë.