Në janar të këtij viti, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve njoftoi se kishte shpallur fituesin, kompaninë “Alba Konstruksion”, për një procedurë me vlerë 4 milionë euro që synonte ndërhyrjen në nyjën hidroteknike të rezervuarit të Manskurisë.
Rezervuari ndodhet mbi zonën e Golemit në Kavajë dhe shërben për nevojat e furnizimit me ujë të bashkisë. Në atë kohë pakkush mendoi se kjo ndërhyrje do të kthehej në dhembjen e kokës së të gjithë zonës, sidomos në pikun e sezonit turistik.
Ndërhyrja që në fakt ishte e nevojshme për të rritur sigurinë e rezervuarit për shkak të një defekti të vitit 2015 duket se kapi të papërgatitur familjet dhe bizneset e kësaj zone.
Teksa punimet vazhdojnë, gjasat janë që rezervuarit të mos jetë në funksion para vjeshtës.
Referuar dokumenteve në atë kohë raportohej se në skarpatën e poshtme të digës afër aksit të ujëlëshuesit ekzistues, rreth 2 metra poshtë kurorës së digës ishte hapur një pus, gryka e të cilit kishte dalë në sipërfaqe të skarpatës.
Nga ana tjetër, ishte identifikuar një rrjedhje uji në formë burimi në anën e poshtme të digës.
“Që nga koha e identifikimit të këtij pusi kur ai doli në sipërfaqe nuk është ndërmarrë asnjë veprim i mëtejshëm duke ia lënë këtë një projekti të plotë të rehabilitimit dhe jo ndërhyrjeve pjesore në të”, thuhet në dokumentet e AKUK.
Lidhur me këtë, plani është për një ndërhyrje në seksionin e plotë të digës duke e çarë atë sipas aksit të ujëlëshuesit dhe duke e zëvendësuar ujëlëshuesin me një të ri.
Çarja e digës në mënyrë të kontrolluar me një teknologji specifike, sipas institucioneve, do të ndihmojë për të kuptuar më mirë arsyet dhe shkaqet e defektit të ndodhur si dhe do të ndihmojë në korrigjimin e masave të parashikuara në këtë projekt si:
(1) Rehabilitimin e drenazheve të digës.
(2) Eliminimin e gropave të tjera që mund të jenë krijuar në këtë seksion, por që nuk kanë dalë ende në sipërfaqe.
(3) Rehabilitimin e skarpatës fundore të digës në anën e poshtme tashmë të prekur nga ndërtimi i impiantit të pastrimit të ujit të pijshëm”, thuhej në dokumente./ Revista Monitor