Sëmundja ngjitëse e murtajës së ruminantëve po përhapet me ritme alarmante në të gjithë vendin, duke përfshirë tani edhe zonat e Lushnjës dhe Gjirokastrës. Numri i vatrave të infeksionit ka arritur në 10, ndërsa 12 ferma të blegtorisë së imët janë tashmë të infektuara.
Murtaja, e cila godet sidomos delet dhe dhitë, është e pranishme nga veriu deri në jug të Shqipërisë. Përhapja e saj në Gjirokastër vë në rrezik një numër të lartë bagëtish, për shkak të përqendrimit të madh të fermave në këtë bashki dhe në zonën e Konispolit.
Pavarësisht masave parandaluese si ndalimi i tregtisë së gjësë së gjallë dhe izolimi i kullotave, përhapja e sëmundjes nuk është ndalur. Deri më tani janë asgjësuar rreth 1200 kafshë të infektuara.
Ekspertët shpresojnë se temperaturat e larta të verës mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së virusit, i cili nuk mbijeton gjatë në diell. Megjithatë, veterinarët theksojnë se murtaja nuk mund të ndalet pa bashkëpunimin e fermerëve, të cilët duhet të raportojnë menjëherë çdo shenjë të sëmundjes në tufat e tyre.
Ministria e Bujqësisë deri tani ka ofruar vetëm këshilla parandaluese, pa dhënë ende një qëndrim për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur.
Sipas autoriteteve, përhapja e murtajës në Shqipëri ka ardhur si pasojë e futjes kontrabandë të kafshëve nga Rumania, të cilat janë tregtuar me certifikata të falsifikuara në tregjet vendase. Dështimi i kontrolleve veterinare në dogana dhe tregje ka bërë që sot sëmundja të jetë prezente në Shkodër, Dibër, Bulqizë, Tiranë, Korçë, Devoll, Skrapar, Lushnjë dhe Gjirokastër.