Skip to content
Të Gjitha

Ministri i Brendshëm Lleshaj në spitalin e traumës: Dhuna nuk është opsion, organizatorët do të mbajnë përgjegjësi ligjore

· 2 min lexim

Mbrëmjen e djeshme në Spitalin e Traumës, ishte dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ku takoi efektivët e plagosur gjatë protestës katër orarëshe që opozita mbajti dje para Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Ndër të tjera ai ka theksuar se organizatorët e protestës do të mbajnë përgjegjësi, dhe se nuk është dëmtuar vetëm policia por edhe rendi publik dhe imazhi i vendit.

”Sapo vizitova policët e plagosur në Spitalin e Traumës. Pasojë e një protestë të dhunshme, të maskuar nga nata dhe maskat e vërteta, si ato që përdor jo rrallë krimi.

Mirënjohje për punonjësit e Policisë shqiptare. Solidaritet me fëmijët, bashkëshortet, nënat dhe familjarët e tyre.

Organizatorët dhe ekzekutorët e dhunës, kanë sulmuar jo vetëm institucionet kushtetuese dhe Policinë, por edhe qetësinë e qytetarëve, rendin publik dhe imazhin e vendit dhe për këto do të mbajnë përgjegjësi ligjore, publike dhe politike.

Dhuna nuk është opsion!”-  shkruan Lleshaj.

Me të ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Kujtojmë se pesë punonjës të policisë u plagosën, disa prej të cilëve pësuan djegie në fytyrë si pasojë e hedhjes së kapsollëve nga ana e protestuesve. Ndërkohë në protestë u përdor edhe gazi lotsjellës pasi simpatizantët tentuan disa herë të sulmojnë godinën e Parlamentit.